Gjiganti kinez i teknologjisë Huawei Technologies pret të ardhura dukshëm më të larta këtë vit, njoftoi anëtari i bordit Ken Hu, duke theksuar rimëkëmbjen në biznesin e telefonave celularë pas vitesh problemesh me kufizimet tregtare të SHBA.
Kompania do ta mbyllë këtë vit me të ardhura prej më shumë se 700 miliardë juanë (98.5 miliardë dollarë), shkroi Hu në një mesazh drejtuar punëtorëve.
“Ne ia dolëm të përballonim stuhinë”
Parashikimi është një konfirmim i ri i rimëkëmbjes së Huawei nga efektet e sanksioneve, të cilat që nga viti 2019 kanë kufizuar aksesin e kompanive kineze në teknologjitë kryesore globale si gjysmëpërçuesit.
“Pas vitesh punë të palodhur, ne arritëm t’i rezistojmë stuhisë dhe po operojmë pak a shumë normalisht përsëri”, pohoi Hu.
Sipas tij, divizioni i pajisjeve të Huawei, i cili përfshin biznesin e telefonisë celulare, ka arritur rezultate më të mira këtë vit sesa pritej.