76.2% e bizneseve në sektorin HoReCa/Gastronomisë në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim nëse situata e krijuar nga pandemia e virusit COVID-19 do të vazhdoj tutje në tre muajt e ardhshëm.
Kjo vjen pas rezultateve preliminare të hulumtimit të kryer nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë.
Drejtoresha e IETL, Besa Zogaj-Gashi, në bazë të hulumtimit, ka treguar se 76.2% të pronarëve të bizneseve në sektorin e gastronomisë në Kosovë nuk shpresojnë që do të kenë mundësi të mbijetojnë nga kriza e Koronavirusit, nëse kushtet ekzistuese vazhdojnë.
“Bazuar në të dhënat statistikore nga Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve[1] për vitin 2018 në sektorin HoReCa (akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim) ishin të regjistruara 3,683 ndërmarrje, të shprehura në përqindje përbëjnë 10.40% të ekonomisë. Ndërsa sa i përket punësimit, sektori HoReCa sipas burimit të njëjtë në vitin 2018 kishte 13,955 numrin total të punësuarve, apo të shprehur në përqindje 7.8%”.
“Sipas hulumtimit pothuajse 97.6% e bizneseve të anketuara të këtij sektori, janë shumë të brengosur për shkak se janë detyruar të respektojnë masat emergjente të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e pandemisë së virusit COVID-19, duke mbyllur bizneset e tyre që nga data 13 Mars e këtij viti. Sipas sondazhit, pronarët e këtyre bizneseve kanë humbje të mëdha në baza ditore për shkak të: mos qarkullimit ditor, krizës së likuiditetit, etj”, thuhet në hulumtim.
Po nga rezultatet preliminare të këtij hulumtimi, e dhënë tjetër shqetësuese është se 55.4% e pronarëve të anketuar kanë deklaruar se janë detyruar t’i largojnë të gjithë punëtorët nga vendet e tyre të punës.
“Kjo është shumë shqetësuese, sepse do të rëndojë kushtet financiare të punëtorëve, të cilët edhe ashtu kishin pagë bruto më të ulët në mesatare, krahasuar me sektorët tjerë të ekonomisë, 254 Euro për vitin 2018”.
“Shqetësimet e pronarëve të bizneseve janë të mëdha për shkak të akumulimit të borxheve ndaj furnitorëve, duke krijuar një zinxhir detyrimesh ku 75.9% e të anketuarve janë deklaruar që nuk do të jenë në gjendje të paguajnë obligimet e tyre ndaj furnitorëve dhe të shlyejnë faturat e papaguara”.
“Shqetësimi tjetër i 88% e të anketuarve është vështirësia e tyre financiare për t’i paguar këstet mujore të obligimeve të tyre ndaj institucionet financiare”.
“83.1% e të anketuarve e kanë vlerësuar si të nevojshme, po ashtu u deklaruan se kanë aplikuar për ndonjë nga masat e “Pakos Emergjente Fiskale” nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sado pak ta stabilizojnë gjendjen e tyre ekonomike aktuale”, paraqet hulumtimi i kryer nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë.
Drejtoresha e IETL, Besa Zogaj-Gashi