I dërguari i Bashkimit Evropian në Damask, Dan Stoenescu tha sot se ka kritika të pajustifikuara ndaj Brukselit për mosdhënien e ndihmës së mjaftueshme për sirianët, pas tërmetit që shkatërroi të hënën pjesë të mëdha të këtij vendi dhe Turqisë.
Stoenescu i tha Reuters se BE dhe vendet anëtare kanë mbledhur më shumë se 50 milionë euro për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për misionet e shpëtimit në pjesët e kontrolluara nga qeveria dhe rebelët të Sirisë.
“Është absolutisht e padrejtë të akuzohemi për mosdhënie ndihme, kur në fakt ne kemi bërë pikërisht këtë vazhdimisht për më shumë se një dekadë dhe po bëjmë shumë më tepër gjatë krizës së tërmetit,” tha Stoenescu në një deklaratë, transmeton Fol Drejt.