Pas largimit të papritur të Gençoglut nga Trepça, Ilir Selmani e merr menaxhimin e klubit, njofton Mitropol.
Trejneri turk i klubit mitrovicas KB “Trepça”, Engin Gençoglu ka dhënë dorëheqje nga pozita e trejnerit të klubit, raportoi ekskluzivisht “Mitropol” nga burimet e veta.
Largimi i papritur i trejnerit Gençoglu i cili premtonte se do ta bënte Trepçën kampion vie pas disfatës së thellë karshi KB “Peja” me rezultat 107-79 dy ditë më parë.
Burime të “Mitropol” bënë të ditur se dje trejneri kishte shkuar në ushtrimet e klubit me valigjet e pregatitura për largim në Turqi.
E pas largimit të Gençoglut, menaxhimin e klubit e merr në dorë Ilir Selmani, deri tash zëvendëstrajner.
Gençoglu ishte trejneri i tretë i cili menaxhoi me Trepçën këtë sezonë. Para tij klubi u udhëhoq nga Alek Jonchevski dhe Lyubomir Minchev. /Mitropol/