Në kuadër të fushatës për vaksinim falas kundër koronavirusit, India dha të hënën rekord vaksinash: 8.3 milionë.
Rekordi i mëparshëm ditor u shënua më 5 prill, kur u vaksinuan 4.5 milionë njerëz.
“Rekordi i sotëm me numrin e të vaksinuarve është arsye për gëzim”, tha kryeministri i Indisë, Narendra Modi, përmes një postimi në Twitter.
Modi po ashtu ka thënë se Qeveria e tij do të blejë 75 për qind të vaksinave nga prodhuesit, për t’iu dhënë falas shteteve federale, të cilat, së bashku me spitalet private, i kanë blerë vaksinat për njerëzit e moshës 18-45 vjeç.
Ekspertët thonë se India duhet të vaksinojë 10 milionë njerëz në ditë, për të arritur qëllimin e saj për vaksinimin e 950 milionë të të rriturve deri në dhjetor.
“Nëse furnizimi është i qëndrueshëm, ne do të jemi në rrugën e duhur për të vaksinuar shumicën e popullsisë sonë deri në fund të vitit”, tha një zyrtar i lartë shëndetësor në shtetin Maharasthra, raporton Reuters.
Me 29.9 milionë raste të konfirmuara me koronavirus, India ndodhet në vendin e dytë në botë – pas Shteteve të Bashkuara – sa i përket numrit të të infektuarve.
Të hënën, autoritetet shëndetësore atje raportuan për 53,256 raste të reja, që është shifra më e ulët ditore qysh më 24 mars.
Numri i të infektuarve në Indi ka arritur kulmin në muajin maj kur janë regjistruar nga 400,000 raste në ditë.
Ky vend ka konfirmuar mbi 388,000 viktima nga koronavirusi.