Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e llojeve të rralla të faunës, ka realizuar një aktivitet bashkëpunimi me Organizatën Wildlife-Albanian Photographers, KEDS-in dhe me komunën e Fushë Kosovës.
“Qëllimi i bashkëpunimit ishte zëvendësimi i shtyllës së vjetër dhe të dëmtuar ku ka qenë e vendosur çerdhja e Lejlekut të Bardhë (Ciconia ciconia), me një shtyllë të re nga betoni së bashku me strukturën metalike të folesë. Kjo ka mundësuar që Lejleku i Bardhë të kthehet sërish në çerdhen e re dhe të vazhdojë folenzimin”, thuhet në njoftimin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
“Ky aktivitet dhe aktivitetet e tjera të ngjashme kanë qëllim rritjen e mundësive të folezimit të këtij lloji në vendin tonë dhe kanë ndikim pozitiv në ruajtjen e popullacionit të Lejlekut të Bardhë, si lloj i rrezikuar i faunës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim./FolDrejt/