Dr.Sc. Xhemail Çupi është ministër për Diasporë në Maqedoninë e Veriut. Ministri Çupi në këtë intervistë flet për sfidat në ministrinë që ai e drejton, bashkëpunimin me qeveritë shqiptare, projektet e planet për të ardhmen.
Intervistoi: Ardit Mehmetaj
A.Mehmetaj: Në bazë regjistrimit të fundit, një përqindje e konsiderueshme e popullit të Maqedonisë së Veriut jeton jashtë vendit. Sa është shqetësuese kjo për ju?
Xh.Çupi: Po, e vërtetë! Në regjistrimin e fundit të popullsisë mbi 13% të qytetarëve rezultuan jo rezidentë, që nënkupton se jetojnë mbi gjashtë muaj jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kjo nënkupton se janë pjesë e diasporës sonë të madhe kudo nëpër botë. Kujtoj që ky numër është ndoshta dyfish më i madh, nëse llogarisim qytetarët që kanë refuzuar të regjistrohen dhe qytetarët e gjeneratës së dytë dhe të tretë që kanë vetëm shtetësi të huaj. Këto shifra realisht na drithërojnë për shkakun se vjen një moment që kupton se je para një akti të kryer që çka do që ndërmerr është e pamjaftueshme për t’i stopuar të rinjtë të marrin rrugën e mërgimit dhe sado programe apo projekte t’u prezantosh atyre që jetojnë në vendet e zhvilluara të Evropës nuk i bind dot për t’u kthyer të paktën për të investuar në shtetin e tyre amë. Sidoqoftë, kjo nuk duhet të na demotivojë por duhet akoma më fuqishëm t’i shtojmë përpjekjet tona që të kthejmë besimin e diasporës në institucionet shtetërore, diçka që e konsiderojmë si shkakun kryesor të mossuksesit tonë.
A.Mehmetaj: Një ndër problemet e mëdha të diasporës është edhe asimilimi. A keni bërë ndonjë plan parandalues për këtë fenomen?
Xh.Çupi: Asimilimi është rreziku kryesor që i kanoset mërgatës sonë. Unë zakonisht them që populli ynë integrohet shpejt në shoqëritë dhe kulturat e huaja, por duhet të jetë më i kujdesshëm që ky integrim të mos kalojë në asimilim. Integrim nënkupton të ruash kulturën tënde dhe të respektosh të huajën dhe të përqafosh vetëm atë që nuk ta rrezikon tënden, ndërsa asimilim d.m.th. të pranosh me lehtësi të huajën pavarësisht afekteve të saj dhe të braktisësh apo më keq të turpërohesh prej asaj që ti dhe populli yt përfaqësoni, gjegjësisht gjuhën, traditën, doket, zakonet, fenë, adetet, e kështu me radhë. Në suaza të aktiviteteve të mia, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut përpiqemi të realizojmë zgjerimin e projektit për mësim plotësues në gjuhën amtare, gjegjësisht rritjen e kapaciteteve profesionale dhe dërgimin e mësuesve të gjuhës shqipe në vendet ku kemi numër më të madh të diasporës të koncentruar në një vendbanim. Kjo nënkupton që nuk ka rast të vizitave të mia që mos e promovojë këtë program që realisht duhet të iniciohet nga vet shoqatat aktive në diasporë, që nënkupton ato duhet të grumbullojmë minimum 60 formularë dhe t’i dorëzojnë në përfaqësitë më të afërta diplomatike konsullore, proces ky që ndoshta duket i gjatë në kuptimin burokratik por personalisht u kam garantuar që do i ndihmojë në të gjitha etapat deri në realizim.
A.Mehmetaj: Keni filluar një projekt të quajtur “Qendra për Diasporë”, ku në shumë komuna edhe keni arritur marrëveshje. Ku qëndron ky projekt tani? Është afër përfundimit?
Xh.Çupi: Projekti “qendrat për diasporë” në nivel lokal tashmë ka nisur me punë. Jo më larg se para disa ditëve, të gjithë punonjësit komunal dhe të gjithë punonjësit e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratë që janë bashkëpunëtor të projektit që do ndihmojnë në shërbimet elektronike, i thirrëm në një punëtori dhe aty definuam detyrat, mënyrën e bashkëpunimit dhe koordinimit, shpërndamë materialet punuese, raportet tremujore, anketat që do t’u shpërndahen qytetarëve, e kështu me radhë dhe tashmë presim efektet e para pozitive që shpresojmë do të kulmojnë me fluksin e ardhshëm të mërgimtarëve tanë në pushimet verore. Në këtë periudhë parashikojmë aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike që besoj do të kulmojnë me krijimin e ditës së diasporës për secilën komunë veçmas.
A.Mehmetaj: Keni zhvilluar disa takime me qeveritarët e Kosovës. Cili është raporti i qeverisë, respektivisht ministrisë që e udhëhiqni ju me qeverinë e Kosovës? Ka vend për bashkëpunim më të madh?
Xh.Çupi: Prej në ditën kur partia Alternativa në krye me Afrim Gashin ma besoi përgjegjësinë ministër i diasporës dhe e propozoi para mandatarit për formimin e Qeverisë së re, një nga kërkesat bazë të saj ishte ruajtja, kultivimi dhe nxitja e projekteve rajonale vëllazërore, me theks të veçantë bashkëpunimin në fushën e diasporës me Shqipërinë, Kosovën dhe Luginën për arsye se diaspora jonë kudo nëpër botë është e unifikuar dhe e tillë duhet të jetë edhe politika e jonë rajonale. Prandaj, nëse konsiderojmë se në angazhimet tona kemi procese afatshkurta dhe afatgjate, kemi procese thelbësore dhe teknike, personalisht bashkëpunimin rajonal në të mirë të diasporës e llogaris projekt thelbësor afatgjatë. Fatmirësisht në vitin 2022 u ratifikua marrëveshja për bashkëpunim në fushën e diasporës mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ndërsa në raport me Kosovën, po në këtë vit u soll vendim qeveritar për bashkëpunim në fushën e diasporës mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Kosovës dhe e njëjta tashmë është përcjellë për ratifikim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Me këto marrëveshje tashmë na hapet rruga për të intensifikuar kontaktet, bashkëpunimet dhe projektet trepalëshe në të mirë të diasporës sonë të unifikuar kudo nëpër botë. Bashkëpunimi jonë do të fokusohet në katër shtylla bazë: lobim institucional për të drejtat e tyre në vendet ku jetojnë, arsim dhe shkencë (abetare të unifikuara), kulturë (programe të përbashkëta) dhe përkrahje për shoqatat aktive në diasporë. Kujtoj që këtë vit kalendarik planifikoj një konferencë trepalëshe që në fokus do ketë gjithë të lartpërmendurën.
A.Mehmetaj: Cilat janë sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut?
Xh.Çupi: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut historikisht janë përballur me sfida të ndryshme, por fatmirësisht çdoherë kanë ditur të dalin faqebardhë dhe në fund fitues, kjo sepse në esencë janë paqeruajtës dhe zemërgjerë. Të tjerët, këtë fenomen ndonjëherë janë përpjekur ta keqpërdorin dhe kjo ka bërë që proceset e implementimit të politikave në dobi të shqiptarëve të stërzgjaten dhe të pengohen, por fati jonë i madh është që jemi të rrethuar me vëllezërit tonë si në Shqipëri po ashtu dhe në Kosovë dhe kjo na bën të ndjehemi se kemi shpinën dhe shpatullat e sigurta në rrugëtimin tonë sfidues. Tani për të qenë më konkret në pyetjen tuaj, zakonisht njerëzit bëjnë krahasime se si ka qenë gjendja jonë e mëpërparshme dhe si është sot, në këtë aspekt mund të konkludojmë se kemi progres të dukshëm, p.sh. në të kaluarën shqiptarët nuk kishin edhe të drejtën elementare të shkollimit nëpër universitete, llogaritëshin si qytetarë të dorës së dytë, nuk kishin mundësi të avancohen në punë dhe profesion, ndërsa sot mund të themi se nuk kemi probleme të kësaj natyre, por unë jam prej atyre (vet)kritikëve që mendoj se duhet krahasimin ta bëjmë me veten tonë, gjegjësisht t’i përgjigjemi pyetjes a mundemi më shumë dhe e mund ta bëjmë ndryshe. Besoj fuqishëm se sot kanë ndryshuar rrethanat, motivet dhe pengesat dhe nëse duhet të gjejmë ndonjë fajtor, përpos disa elementeve të margjinalizuara nacionaliste dhe shoviniste që trumbetojnë kundër nesh për të fituar ndonjë elektorat politik, fajtorin kryesor duhet ta gjejmë në veten tonë, gjegjësisht tek ata që kanë marrë mbi supe obligime shoqërore politike, edukative, zhvilluese, përparuese, por që punën e tyre nuk e bëjnë me përkushtim, me vullnet dhe me profesionalizëm, janë po ata që keqpërdorin pozitat, korruptohen, vjedhin dhe manipulojnë në dëm të qytetarëve.
A.Mehmetaj: Viti 2023 sapo ka filluar. Cilat janë planet e ministrisë të cilën e udhëhiqni për këtë vit?
Xh.Çupi: Numri i lartë i diasporës sonë na inkurajon se duhet të jemi edhe më të fortë dhe më të vendosur për të punuar me përkushtim dhe në vazhdimësi në drejtim të politikave produktive në të mirë të diasporës sonë. Në vitin që lamë pas, në mënyrë sistematike janë bërë përgatitjet dhe janë finalizuar planet për ecurinë e mëtejshme të aktiviteteve në lidhje me diasporën, në drejtim të zgjidhjes afatgjate të problemeve të natyrave të ndryshme dhe në interes të shtetit dhe të pjesëtarëve të diasporës. Në vijim po shpalosi disa nga projektet që i llogaris si prioritete, mes tyre: Programi për financim të projekteve të shoqatave që veprojnë në diasporë; Zgjerim i projektit “Qendra (zyra) për diasporë” edhe në komunat e tjera; Organizimi i Konferencës rajonale (Maqedoni e Veriut – Shqipëri – Kosovë) në fushën e diasporës; Zgjerimi i bashkëpunimit dhe memorandumit me universitetet publike dhe private në fushën e diasporës shkencore e shumë të tjera. /FolDrejt/