Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, klima e paparashikueshme e biznesit, ndryshime të shpeshta në legjislacion, investime të pamjaftueshme në infrastrukturë dhe mungesë e reformave strukturore janë disa nga problemet që përballen kompanitë e huaja që veprojnë në Republikën e Maqedonisë. Në të ashtuquajturin “Libri i Bardhë” 2018, investitorët e huaj thonë se situata ekonomike në vend mbetet e njëjtë.
“Reformat duhet të jenë afatgjata dhe ato kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm”, deklaroi Stefan Peter i Këshillit për Investitorët e huaj.
Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev tha se për të përmirësuar klimën e biznesit, vendi duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s.
“Integrimi në BE dhe NATO është një çështje serioze dhe ne jemi duke i përqëndruar të gjitha përpjekjet tona në këtë proces”, tha kryeministri Zaev. Sipas tij, viti 2019 duhet të jetë viti i ekonomisë dhe zhvillimit.
Këshilli për investitorët e huaj është themeluar 13 vite më parë, ndërsa “libri i bardhë”, i cili përmban rekomandime dhe ankesa të bëra nga investitorët e huaj, u botua së pari herë në vitin 2015. /ibna/