Iraku ka denoncuar sulmet iraniane të së hënës pranë Erbilit si “shkelje e hapur” e sovranitetit të tij.
Të paktën një person u vra dhe 10 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore në Irakun e veriut të kryera nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ndaj grupeve të armatosura kurde, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një telefonatë me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ministri i Jashtëm irakian, Fuad Hussein e cilësoi “vazhdimin e këtyre veprimeve të njëanshme si të rrezikshme”, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Irakut.
Husseini i përshkroi sulmet iraniane si “një shkelje të hapur të sovranitetit të Irakut dhe sigurisë së qytetarëve të tij”.
Ai gjithashtu theksoi “rëndësinë e dialogut si një mënyrë për të ndaluar këtë përshkallëzim të pajustifikuar armiqësor”, shtohet në deklaratë.
Media shtetërore iraniane citoi zyrtarët e IRGC-së të kenë thënë të hënën se në shënjestër ishin “pozicionet terroriste” në Irakun verior me raketa dhe dron, duke iu referuar selisë së Partisë Komala dhe Partisë Demokratike të Kurdistanit Iranian.
Sulmet u kryen në qytetin irakian Koye, pranë Erbilit, kryeqyteti i Administratës Rajonale Autonome Kurde në Irakun verior.
Autoritetet iraniane akuzojnë grupet kurde anti-Iraniane me bazë në Irakun verior se kanë nxitur trazira në vend pas vdekjes së gruas kurde 22-vjeçare Mahsa Amini në paraburgim nga policia./FolDrejt/