Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka thënë se KFOR-i nuk e ka lejuar ministrin Elbert Krasniqi që të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit.
Ai përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, derisa Ministri i Qeverisë së Kosovës ka shkuar për ta takuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit.
Ramadani është shprehur se KFOR-i nuk ka pasur të drejtë t’i ndalojë hyrjen Ministrit Krasniqi, teksa shtoi se kjo është një dëshmi jo e mirë për nivelin e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare ushtarake, njofton Insajderi.
Postimi i plotë:
KFOR-i nuk lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit.
Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekës derisa Ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit.
KFOR-i ktheu mbrapsht ministrin Elbert Krasniqi nga komuna e Zveçanit, duke dhënë kështu një indikacion, për mua, shqetësues për fazën se si KFOR duket që ka vendosur të ushtrojë kompetencat e veta.
Në fakt, KFOR-i nuk ka pasur të drejtë t’i ndalojë hyrjen Ministrit Krasniqi, ndërsa kjo është një dëshmi fort e keqe për nivelin e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare ushtarake.