Izraeli pretendon se Irani ka sulmuar një cisternë nafte në Gjirin e Omanit.
Sipas lajmit të Associated Press (AP), cisterna e naftës me flamur liberian “Pacific Zircon” u godit mbrëmë nga një dron i ngarkuar me bombë derisa ishte në brigjet e Omanit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Agjencia ushtarake britanike “UK Merchant Marine Operations”, e cila monitoron anijet në rajon, për AP tha se ata ishin “të vetëdijshëm për incidentin i cili është duke u hetuar”.
Thuhet se anija operohet nga kompania “Eastern Pacific Shipping” me bazë në Singapor dhe i përket miliarderit izraelit, Idan Ofer.
Ndërsa tensionet midis Izraelit dhe Iranit u rritën në Lindjen e Mesme, edhe më parë në rajon ishin kryer sulme me dronë kundër anijeve të lidhura me Izraelin.
Izraeli akuzon Iranin
Qeveria e Tel Avivit akuzon Iranin për sulmin.
Në lajmin e Radios së Ushtrisë izraelite thuhet se zyrtarët ushtarakë izraelitë pretenduan se “Irani qëndron pas sulmit dhe se incidenti ishte një përpjekje e Iranit për të ndërhyrë në Kupën e Botës që do të mbahet në Katar”.
Thuhet se miliarderi izraelit, Idan Ofer është aksionar, jo pronar i drejtpërdrejtë i anijes, e cila punon për kompaninë me bazë në Singapor.
Irani nuk ka dhënë ende deklaratë në lidhje me akuzat e Izraelit.
Izraeli ka bërë akuza të ngjashme kundër Iranit edhe më parë, por Qeveria e Teheranit i ka hedhur poshtë këto akuza./FolDrejt/