Ideologu dhe zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kallën, i njohur edhe nga media gjermane “Der Spiegel” si “intelektual mjaft i shquar turk dhe potencial për të udhëhequr me ministrin e jashtme në të ardhmen”, është takuar me përfaqësuesit e Lëvizjes BESA, kryetarin Afrim Gashi, sekretarin gjeneral Zejd Rexhepi dhe ministrin e kulturës Asaf Ademi. Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Kulturës së Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Haluk Dursun, dhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Shkup, znj. Tülin Erkal Kara.
Në këtë takim u fol për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe rolin e rëndësishëm që e luan Lëvizja BESA në këtë proces, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit të Maqedonisë dhe Turqisë në kuadër të aleancës veri-atlantike.
Prof. Kallëni u interesua edhe për angazhimin e Lëvizjes BESA në proceset politike në Maqedoni dhe shprehu inkurajim që Besa të vazhdojë të jetë konstruktive në këtë proces.
Me këtë rast kryetari Gashi e falënderoi z. Kallën për bashkëpunimin dhe inkurajimin e shprehur dhe shfaqi gatishmëri që BESA, me Ministrinë e Kulturës dhe ministrin Asaf Ademi, të punojë edhe në mbrojtjen e kulturës turke në Maqedoni.