Fluksi i përdorimit të makinave dhe për rrjedhojë denduria në komunikacion që po vazhdon ta ‘kërcënojë’ botën, po ndihet edhe në Kosovë, duke u përkthyer në aksidente rrugore e kaos komunikacioni. Por, si qëndron ky vit me aksidente? Çka flasin statistikat dhe ekspertët për shkaqet e shkaktarët? Dhe kujt mund t’i drejtohet gishti qoftë për ta akuzuar a për të kërkuar zgjidhje?
Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, gazeta online Fol Drejt ka shfrytëzuar raporte e të dhëna statistikore nga Policia e Kosovës dhe ka komunikuar me disa nga ekspertët e fushave relevante, duke mos i anashkaluar as vetë qytetarët.
Rrugët e Kosovës, të cilat u zbrazën për një kohë pas kufizimeve për COVID-19, iu rikthyen normalitetit duke u mbushur e stërmbushur sërish. Ky rikthim i komunikacionit u reflektua thuajse menjëherë në statistika të frikshme rrugore, me ç’rast numri i aksidenteve në vitin 2021 u dyfishua. E rezultat më të mirë nuk ka premtuar as periudha gjashtë mujore e vitit 2022. Shihet qartë që e njëjta tatëpjetë statistikore e aksidenteve ka në plan të vazhdojë edhe këtë vit.
Edhe në kohën kur kriza ekonomike dhe çmimet e derivateve kanë ngulfatur ekonominë globale dhe atë kosovare, makina dhe transporti urban e ndër-urban mbeten zgjedhjet e para të banorëve në Kosovë. Por, një zgjedhje e tillë, e kombinuar sa me faktorin teknik e atë shoqëror, ka rritur numrin e aksidenteve dhe pasigurinë e këmbësorëve në komunikacion.
Bazuar në të dhënat e punës gjysmë-vjetore të policisë, edhe këtë vit, konkretisht periudha janar-qershor 2022, ka vazhduar shtimi i numrit të aksidenteve, të cilat madje e kanë kaluar vitin 2021, me një përqindje prej 1.17%, ose më saktë 108 aksidente më tepër.
Një rënie krejt të lehtë në krahasim me vitin e shkuar kanë shënuar aksidentet me fatalitet, me një diferencë prej 3 aksidentesh më pak se në vitin 2021, e njëkohësisht edhe me 6 vdekje fatale më pak. Më saktë, prej 56 personave që humbën jetën si pasojë e aksidenteve në trafik vitin e shkuar, këtë vit tragjikisht përfunduan 50 persona.
Megjithatë, kjo ulje minimale nuk e zvogëlon pasigurinë dhe neglizhencën në komunikacion me të cilin qytetarët janë në kontakt të përditshëm. E këtë më së miri e dëshmon një ngritje marramendëse dhe e frikshme njëkohësisht e tiketave të shqiptuara, që në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit është rritur me 46.96%. Përderisa vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 21 mijë tiketa, këtë vit numri i tyre ka kaluar shifrën 32 mijë, duke shpërfaqur tërthorazi kaosin dhe pakujdesinë që po artikulohet në komunikacion.
Në përpjekje për të depërtuar në thelbin e kësaj katrahure, Fol Drejt ka marrë prononcime prej ekspertit të komunikacionit Beni Kizolli dhe sociologut Ferdi Kamberi. Mendimet e të dy palëve do ta specifikojnë një element të rëndësishëm: mungesën e njëkohësisht nevojën e programeve të veçanta për vetëdijësimin dhe kulturën e shoqërisë në trafik.
Kizolli konsideron që nuk mund të flitet për një zgjidhje të problemit duke u kufizuar vetëm me një masë apo një kohë të caktuar. Masat dhe strategjitë, sipas tij, duhet ta plotësojnë njëra-tjetrën, për më tepër të përsëriten vazhdimisht ashtu që të synohet eliminimi i dukurive dhe të kontrollohet gjendja në trafik.
I pyetur se sa i plotëson standardet infrastruktura e Kosovës, ai ka thënë se autoudhat i përmbushin standardet, mirëpo nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për rrugët nacionale e rajonale. Kizolli i referohet faktit që në disa prej rrugëve nacionale nuk ka pasur ndonjë ndryshim që prej fillimit të ndërtimit të tyre, duke theksuar se në kohën kur janë ndërtuar, ka munguar ky fluks i veturave dhe ky zhvillim i veprimtarive të ndryshme përgjatë këtyre korridoreve.
“Bile në këta muaj ku fluksi i trafikut është i lartë, organet kompetente, përkatësisht policia, nuk duhet të fokusohen në rrugët jashtë vendbanimeve, por brenda vendbanimeve duhet të jenë rigorozë, kur është fjala të parkimet në trotuare apo në rrugë, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar në mbrëmje në rrugë të caktuara, përdorimi i celularëve etj.”, është shprehur Kizolli duke spikatur sidomos rrugët pranë vendbanimeve si më të ndjeshme dhe më të rrezikuara në të njëjtë
Krahas standardeve të infrastrukturës, Kizolli ka vënë në theks edhe pamjaftueshmërinë e sinjalizuesve dhe shenjave të trafikut. Por, krahas mungesës së këtyre elementeve, problem është edhe mënyra se si vendosen ato, ngase sipas tij, përveç pranimit teknik që tashmë është kthyer thjesht në formalitet, është e nevojshme të zhvillohen edhe aktivitetet e auditimit nga organe të pavarura, por profesionale. Kizolli, madje përmend edhe një rast të sinjalizimit të shiritave për biçikleta në Prizren me një gjerësi deri 80 cm, por që nuk i përmbush standardet e nevojshme, ndaj sipas tij, çfarëdo aksidenti përgjegjësia duhet të bjerë mbi institucionet që nuk kanë respektuar standardet e kërkuara.
Krahas mangësive dhe mos-përmbushjes së standardeve të kërkuara në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës, edhe kultura e qytetarëve në këtë rrafsh, lë shumë për të dëshiruar. Mbi raportin midis shoqërisë shqiptare dhe rolit që ka kultura e saj në komunikacion, Fol Drejt ka marrë një prononcim prej sociologut Ferdi Kamberi. Kamberi konsideron se pas vitit 1999 e tutje shoqëria jonë ballafaqohet me shumë fenomene të shpërfaqura të cilat po sjellin pasoja.
Rritja e rasteve ku të rinjtë po përfshihen në aksidente dhe po përfundojnë me fatalitet, sipas Kamberit, qëndron jo vetëm tek ata, por edhe te ngasësit më në moshë të cilëve nuk iu mungojnë sjelljet agresive, problematike, sharjet e deri edhe konfliktet verbale e fizike.
“Padyshim se ky agresivitet i cili është goxha i rritur vije edhe si rezultat i stresit të akumuluar gjatë ditës dhe problemeve tjera”, është shprehur Kamberi, i cili e ka konsideruar pikërisht këtë akumulim si një faktor internal të shoqërisë shqiptare që reflektohet pastaj në aksidente.
Kamberi ka sjellë edhe disa statistika të nxjerra nga Komisioni Evropian në nivel kontinental e rajonal, duke e përqendruar vëmendjen sidomos në rritjen e aksidenteve dhe vdekjeve fatale në periudhën pandemike dhe ‘post-pandemike’, ku vetëm gjatë vitit 2021 vdiqën gati 20 mijë njerëz. Ndonëse në këtë raport Kosova qëndron më mirë se vendet e tjera të Ballkanit, me më së paku vdekje për 1 milion banorë, çështja cilësohet si e pazgjidhur tërësisht.
Në pyetjen e drejtuar se a ka programe të veçanta të vetëdijesimit shoqëror mbi respektimin e rregullave të trafikut, Kamberi ka bërë të ditur se ato mungojnë. Madje pikërisht prezenca dhe promovimi i programeve të tilla nëpër shkolla, komuna ka qenë njëra ndër kërkesat kryesore të tij në të kaluarën:
“Konsiderojmë se institucionet e vendit së bashku me komunat, shkollat dhe akterët tjerë duhet të kenë programe konkrete në shkolla, në mënyrë që të ketë një ngritje të vetëdijes sidomos tek të rinjtë, po ashtu është e nevojshme që mediat përmes programeve të kenë ndikim tek të rinjtë, të shtohen patrullimet e zyrtarëve policorë, etj.”
Në këtë pikë pajtohet edhe eksperti Kizolli, sipas të cilit, vetëdijesimi në trafik duhet ta ketë zanafillën që nga institucionet arsimore e deri të programet e ndryshme me karakter vetëdijësues. Por propozon ndërfutjen e një tjetër elementi edukativ:
“Duhet të zhvillohen strategjitë e “menaxhimit” të kërkesave”, thekson Kizolli, duke e parë si çelës zgjidhjeje uljen apo vështirësimin e përdorimit të veturave personale, deri në zhvillimin e transportit alternativ.
Në këtë kontekst mangësish infrastrukturore dhe mungesës së programeve përkatëse vetëdijësuese për publikun, janë qytetarët, jo rrallë këmbësorët, ata që e pësojnë. Se sa i rrezikshëm dhe shqetësues është komunikacioni në vend, sidomos në kryeqytet, kanë treguar edhe ata. Fol Drejt ka marrë disa prononcime edhe nga qytetarët e Kosovës, të cilët njëzëri janë shprehur se ndihen të shqetësuar dhe të rrezikuar nga komunikacioni që ofron Kosova, e sidomos kryeqendrat.
“Vozisin pa kontroll e me shpejtësi të madhe”, ka deklaruar njëri prej tyre. Ndërkohë një qytetare ka shprehur shqetësime edhe me numrin e shoferëve të rinj dhe papërgjegjësinë e tyre në komunikacion: “Ka shumë shoferë të rinj e pa leje që vozisin në Kosovë, bile s’mungojnë as shoferët e dehur.”
E të pyetur se si mund të zgjidhet ky problem, të gjithë kanë drejtuar gishtin drejt autoriteteve të rendit, duke kërkuar numër më të shtuar të zyrtarëve policorë dhe kontrolle më rigoroze nëpër zonat urbane e autostrada. E krahas këtij faktori, një qytetare tjetër ka kërkuar që hetimi i problemit të fillojë me një kontroll nga baza, duke i nënkuptuar këtu qendrat që i pajisin qytetarët me patentë shoferë, ngase sipas saj gjithë problemi nis prej aty.
Të gjithë, pa përjashtim, pajtohen se çështja është më delikate se sa që duket, ndërsa kërkon vëmendje institucionale në të gjitha nivelet. Në anën tjetër, po sipas tyre, emancipimi i pjesëtarëve të komunikacionit në raport me respektimin e rregullave, kërkon më shumë kohë./Rrezarta Morina/FolDrejt/