Prodhimi i kriptovalutave apo “mining” siç njihet në gjuhën e teknologjisë është një aktivitet tejet fitimprurës në botë, por edhe në Kosovë. Ky aktivitet involvon instalimin e makinerive teknologjike me kapacitet të lartë shpenzues elektrik. Kështu disa prodhues të kriptovatutave kanë vendosur që t’i ikin pagesës së shpenzimit të energjisë elektrike duke e vjedhur atë.
Në katin e fundit të një ndërtese në Lagjen Veternik të Prishtinës një prodhues i tillë kishte montuar disa pajisje, ndërsa rrymën e kishte instaluar direkt, duke tejkaluar njehsorin matës.
Sipas informacioneve, ky prodhues para pak ditësh ka pasur një vizitë nga KEDS-i dhe është zënë në flagrancë.
Në KEDS e konfirmojnë se janë në aksion kundër këtyre keqpërdoruesve. Ata kanë treguar se vetëm në dy javët e fundit janë zënë dhjetëra raste të prodhuesve të krpitovalutave të cilët e keqpërdorin rrymën.
“Ne posedojmë teknologji të avancuar që na bën shumë të lehtë identifikimin e prodhuesve të krpitovalutave që keqpërdorin rrymën, por duhet cekur që një kontribut të veçantë në këtë aspekt janë duke e dhënë edhe vet konsumatorët që po i lajmërojnë edhe raste tjera të keqpërdorimit të energjisë elektrike”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Ai tregon se keqpërdoruesit e zënë janë dënuar me “rikthim të humbjeve”, i cili kalkulohet me sasinë e shpenzimeve dhe kohën kur ka filluar keqpërdorimi.
“Në këtë aspekt ka pasur konsumatorë që kanë arritur që të keqpërdorin deri në 70 mijë euro për disa muaj, shumë këto që tash obligohen t’i paguajnë. Përveç kësaj ndaj këtyre keqpërdoruesve është iniciuar edhe kallëzim penal”, ka thënë Buzhala.
Ai i ka ftuar të gjithë prodhuesit e kriptovalutave, por edhe keqpërdoruesit tjerë që të lajmërojnë aktivitetin e tyre dhe kërkojnë pëlqimin teknik, në mënyrë që t’i ikin kallëzimit penal.
Sipas zëdhënësit të KEDS-it, konsumatorët gjithnjë e më shumë janë duke u ndërgjegjësuar se keqpërdorimi i rrymës ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e tyre me energji elektrike.
“Ne kemi listuar edhe shumë prodhues tjerë të kriptovalutave që po keqpërdorin rrymën dhe shpresojmë që gjatë dy muajve në vijim t’i arrijmë të gjithë, meqë jemi duke punuar me ekipe të shtuara”, tha Buzhala.
Në kapjen e keqpërdoruesve KEDS shpeshherë ka nevojë edhe për mbështetjen e policisë dhe organeve të tjera të rendit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se pas vlerësimit të kërkesave për asistencë, ata vendosin për veprimet e nevojshme.
“Policia e Kosovës e trajton çdo kërkesë e cila i adresohet dhe konform saj e trajton dhe e vlerëson dhe në bazë të vlerësimeve i merr edhe veprimet e nevojshëm për të dhënë asistencë”, tha Kelani
Në anën tjetër sipas Viktor Buzhalës, është duke u bërë punë dhe hetim edhe kundrejt keqpërdoruesve tjerë përveç prodhuesve të kriptovalutave.
“Ne ftojmë konsumatorët që të lajmërojnë keqpërdoruesit e rrymës elektrike dhe i garantojmë se lajmërimi i tyre do të mbetet anonim”, tha Viktor Buzhala.
Ai ka treguar se KEDS ka krijuar disa kanale për lajmërimin e keqpërdoruesve të rrymës.