Kushtetuta e parë e shkruar dhe e kompletuar në historinë islame është Karta e Medines e cila u formësua me Traktatin e Medines dhe përmban 51 nene. Kjo Kartë fillon me “Me emrin e Allahut, të Gjithëmërshirshmit, Mëshirëplotit” dhe u drejtohet të migruarve, fisit Kurejsh, qytetarëve të Medines që e kanë pranuar fenë islame dhe të gjithë atyre individëve që janë në marrëveshje me grupet e përmendura më lartë. Në Kartë potencohen përgjegjësitë e fiseve të cilët jetonin në Medine. Fiset të cilat përmenden në Kartën e Medines janë : Kurejshët, Benu Auf, Benu El-Haris, Benu Saida, Benu Xhusham, Benu En-Nexhxhar, Benu Amr, Benu El-Wabijjat dhe Benu El-Ews. Çdonjëri nga fiset përbënin një grup në vete dhe kishin përgjegjësitë të cilat duhej të ishin në përputhje me parimet e ndershmërisë dhe drejtësisë. Në nenin 14 të Kartës së Medines thuhet kështu: “Është detyrë e muslimanëve të kundërshtojnë hapur çdo person që shkakton dëme dhe trazira, shqetëson njerëzit ose me forcë do t’iu grabisë diçka dhe përdor dhunën.Të gjithë muslimanët duhet të mbeten të bashkuar njëri me tjetrin, në dënimin e një personi të tillë, mandje edhe nëse ai është djali i ndonjërit prej tyre”. Sipas këtij neni, interesat e përgjithshme janë mbi interesat pesonale, si dhe me ligj ndalohen trazirat, grabitja e pasurisë dhe dhuna
Të drejtat e pakicave në Kartën e Medines
Në kohën kur ndoshta në asnjë skaj të botës nuk ekzistonte koncepti “të drejtat e pakicave”,afro gjysma e Kushtetutës së Medines kishte të bën me gjendjen e pakicës hebreje. Kështu në nenin 17 thuhet:” Është detyrë e gjithë muslimanëve të ndihmojnë dhe t’u ofrojnë sjellje miqësore hebrenjve, të cilët kanë hyrë në marrëveshje me ta.” Në nenet 27-35 tregohen detyrimet për të cilat janë përgjegjëse fiset hebreje dhe muslimanët. Fiset hebreje, sipas Kartës së Medines janë palë e marrëveshjes me muslimanët dhe janë përkrahës të tyre. Çdonjëra prejpalëve duhet që ti përmbahej fesë së tyre kurse sa i takon çështjeve të tjera jofetare muslimanët dhe hebrenjë duhej që të ishin një grup i vetëm. Nëse ndonjëra nga palët shkelte ose thyentebetimin meritonte ndëshkim.
Në nenin 39 të Kartës së Medines shihet aleanca midis hebrenjve dhe muslimanëve në gjendje të luftës. “ Nëse një bashkësi e tretë zhvillon luftë kundër muslimanëve dhe çifutëve,pjesëmarrës në traktat, ata do të duhet ti luftojnë bashkërisht. “
Karta e Medines, fiseve hebreje që jetonin në Medine u garatonte një jetë të sigurtë dhe të qetë. Sipas nenit 42 të Kartës, Medina do të ishte strehim edhe për muslimanët edhe për hebrenjtë. Nëse eventualisht Medina do të pushtohej, muslimanët dhe hebrenjtë bashkarisht duhej që të luftonin për ta çliruar. Kurse nëse do të linde ndonjë mosmarrëveshje midis palëve nënshkruese të traktatit, çështja duhej ti drejtohej për zgjidhje Gjykatësit Suprem, Zotit dhe të Dërguarit të Tij, Muhammedit a.s.