Forcat izraelite arrestuan katër peshkatarë palestinezë në brigjet e Rripit të Gazës të bllokuar.
Në një prononcim për AA, kryetari i Unionit të Peshkatarëve Palestinezë në Gaza, Nizar Ayyash, tha se forcat e marinës izraelite ndoqën katër peshkatarë në brigjet veriore të Gazës dhe i morën në paraburgim pasi hapën zjarr ndaj tyre, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar se peshkatarët palestinezë nuk e kaluan distancën e peshkimit të përcaktuar nga Izraeli, Ayyash tha se katër peshkatarë me dy varka u dërguan në portin e Ashdod-it nga forcat izraelite.
Ayyash gjithashtu tha se asnjë peshkatar nuk u lëndua gjatë ndalimit.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar mbi incidentin.
Izraeli që nga viti 2006 ka bllokuar Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth dy milionë palestinezë, nga toka, deti dhe ajri.
Sipas Ministrisë Palestineze të Bujqësisë, peshkimi njihet si një nga mjetet kryesore të jetesës në Gaza, ku ka rreth 4.000 peshkatarë.
Sipas raporteve të të drejtave të njeriut, përveç abuzimeve të tjera nga Izraeli, peshkatarët në Gaza janë subjekt i ndalimeve të shpeshta dhe sekuestrimi i varkave të tyre.
Qeveria e Tel Avivit redukton shpesh distancën e peshkimit të peshkatarëve në Rripin e Gazës.
Sipas Marrëveshjes së Oslos të nënshkruar ndërmjet Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Izraelit në vitin 1993, palestinezët kanë të drejtë të lëvizin lirshëm deri në 20 milje nga Rripi i Gazës pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje izraelite, por qeveria izraelite i pengon peshkatarët palestinezë nga kjo e drejtë./FolDrejt/