Edhe në raportin e fundit të dërguar nga policia nuk ka munguar prania e dhunës në familje dhe raportimi i saj në polici për të kërkuar ndërhyrjen e organeve të rendit dhe për të marrë mbrojtjen e sigurinë e nevojshme, shkruan Fol Drejt.
E në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste të dhunës familjare, që të gjitha në katër komuna të ndryshme të vendit, Prishtinë, Prizren, Klinë dhe Gjakovë.
Në dhunën e raportuar në Prishtinë, Prizrën e Klinë, ka qenë viktima femër ajo që ka raportuar se ndaj saj është ushtruar dhunë nga i dyshuari mashkull.
Në Gjakovë, ndërkaq, rasti është raportuar si dhunë e ndërsjellë, me ç’rast të një mashkull dhe një femër e kanë sulmuar njëri-tjetrin.
“Me datë 24.11.2022 viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetime të mëtejme”, thuhet në njoftimin 24-orësh për rastin në Prishtinë.
Për rastin e Prizrenit, raporti 24-orësh bën me dije se viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërkaq palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Edhe në Klinë, Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar e ka sulmuar fizikisht. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit i njëjti është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Gjakovë, në raportin 24-orësh, thuhet se janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull kosovar dhe një femër shtetase e Shqipërisë pasi që të njëjtit janë përleshur fizikisht në mes vete. Si pasojë të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje ndërsa e dyshuara në strehimore./FolDrejt/