Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) edhe një herë ka ftuar partitë politike parlamentare të mobilizohen për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi.
“Faza përmbyllëse e dialogut Kosovë-Serbi është duke vazhduar me mungesë të theksuar të transparencës dhe pa koordinim të spektrit politik. Duke qenë se Kuvendi është institucioni më i lartë ligjvënës, i cili në fund do të jetë përgjegjës për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare dypalëshe, KDI më 29 maj 2018 bëri thirrje për një seancë të jashtëzakonshme në të cilët do të debatohej për platformën shtetërore rreth dialogut”, thuhet në kumtesën e KDI-së, transmeton Telegrafi.
KDI shpreh mbështetjen për nismën e ndërmarrë nga grupi parlamentar i PSD-së për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi dhe fton partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të ftuar këtë seancë.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të vullnetit të popullit nuk mund të shmangen nga përgjegjësitë që lidhen me të ardhmen e procesit, ndërsa institucionet e tjera me veprimet e tyre nuk duhet të anashkalojnë rolin e Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror”.
KDI thotë se “platforma e shtetit të Kosovës duhet të përcaktohet në Kuvendin e Kosovës, duke i dhënë legjitimitet këtij procesi shtetëror përmes miratimit të një rezolute e cila do të përcaktojë edhe vijat e kuqe të Kosovës duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”.