Deputetja britanike, Alicia Kearns, i ka reaguar ShBA’së për deklaratat e fundit, ku ambasadori Jeffrey Hovenier tha se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe se po nxitë tensione të panevojshme etnike.
Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë. Ai tha se këto veprime si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.
Lidhur me këtë deklaratë, Kearns, pyeti se ku është ekuilibri dhe se a është parë një deklaratë e tillë nga ShBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të tre policëve nga Serbia.
“Ku është ekulibri? A kemi parë një deklaratë të tillë nga ShBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të tre policëve nga Serbia Heshtja për sulmin terrorist në Banjska mbetet shurdhuese”, ka shkruar tutje ajo.