Një grup qytetarësh ka kërkuar leje nga organet e rendit për të protestuar kundër vrasjeve masive në Gaza, pak para ndeshjes Kosovë – Izrael, por kjo e drejtë u është mohuar, shkruan Fol Drejt.
Vendimin për “mos lejimin e tubimit publik”, e ka publikuar Albert Berisha, njëri prej organizatorëve.
“Te nderuar dosta real e virtual
Sot e bëmë një kërkesë për mbajtjen e një aktiviteti simbolik paqësor me të cilën donim të shprehnim përkrahjen për viktimat civile palestineze.
Kërkesa u refuzua nga organet e rendit për arsye sigurie.
Më e pakta që mund të bëjmë është që masivisht të bëjmë BOJKOT të plotë e mosblerje biletash nga tifozët dhe asnjë person të mos bëhet viktimë e ndonjë skenari të huaj.
Ndeshja ska rëndësi …
Palestine will be free” – ka njoftuar Berisha në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Sipas burimeve të Fol Drejt, autoritetet vendore do të ndihmohen nga njësi speciale izraelite, të cilat me gjasë do ta monitorojnë ardhjen, zhvillimin e ndeshjes, deri edhe largimin nga Kosova të lojtarëve izraelit.
Nga ana tjetër, këtyre lojtarëve, shteti i Izraelit u ka dhënë detyra speciale propaganduese, që kanë të bëjnë me luftën e cila është duke u zhvilluar atje.
Por përkundër qëndrimeve zyrtare të Tel Avivit në lidhje me luftën në Gaza, faktet e pamohueshme se atje është duke u kryer gjenocid ndaj popullsisë civile palestineze, veç janë shpërfaqur. Protesta të shumta në përkrahje të palestinezëve janë mbajtur edhe këto ditë në shumë metropole botërore.
Loja Kosovë – Izrael pritet të fillojë në 20 e 45 minuta në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Gjasat për kualifikim në Euro 2024 për të dy përfaqësueset, janë të vogla./FolDrejt/