Në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e biodiversitetit, konkretisht faunës, me iniciativën e Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, Ministri i Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z.Liburn Aliu, përmes vendimeve të ndara ka marrë në mbrojtje katër raca të ndryshme të gjelave autokton.
Me miratimin e këtyre vendimeve, llojet autoktone të gjelave: Gjeli Këndimgjatë i Dukagjinit, Gjeli Këndimgjatë i Gjilanit, Gjeli Trengjyrësh dhe Gjeli Piklan i janë shtuar Regjistrit të Vlerave të Mbrojtura të Natyrës, që mirëmbahet nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.
“Qëllimi kryesor i nxjerrjes së vendimeve është mbrojtja e llojeve të gjelave autokton sipas ligjit dhe përcaktimi i kushteve të mbajtjes. Gjithashtu përmes vendimeve synohet që llojet të mbrohen nga rreziku për përzierje gjenetike me racat e huaja dhe nga rreziku për nxjerrje jashtë vendit e këtyre racave me qëllim të kryqëzimit me racat tjera.
Vendimet përmbajnë edhe arsyeshmërinë profesionale për marrjen në mbrojtje të llojeve të gjelave autokton, si dhe përshkrimin e karakteristikave themelore të tyre, të cilat janë hartuar nga një grup punues ndërinstitucional i udhëhequr nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.
Vënia nën mbrojtje institucionale e gjelave autokton është e një rëndësie të veçantë edhe për faktin se këto raca tani do të prezantohet ndërkombëtarisht si raca autoktone të Republikës së Kosovës, përmes së cilave do të paraqitet edhe begatia e vlerave të biodiversitetit të vendit tone”, thuhet në njoftimin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës./FolDrejt/