Misioni i KFOR-it në Kosovë ka konfirmuar se ka qenë i gatshëm që të ndërhyjë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, në rast se ajo do t’i kërkohej.
Në komunikatën e lëshuar thuhet se trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, derisa theksohet edhe bashkëpunimi që kanë pasur me institucionet vendore të sigurisë.
“Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR kanë vepruar në koordinim të ngushtë, si përgjegjësi i parë, dytë dhe tretë”, thuhet në njoftim.
“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të rregullt me të gjithë përgjegjësit, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatat e sigurisë në Kosovë, sikurse edhe Shefin e Stafit të Forcave të Armatosura të Serbisë”.
Sipas KFOR procesi i dialogut është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet dhe arritjen e zgjidhjes afatgjatë.