Kina akuzoi sot Washingtonin se ka përfituar nga kriza në Ukrainë ndërsa Evropa ka pësuar për shkak të inflacionit të lartë dhe krizës energjetike në dimër.
“SHBA-ja është pasuruar nga kriza e Ukrainës ndërsa Evropa po gjakoset dhe po paguan çmime të larta të energjisë për shkak të inflacionit”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, transmeton Fol Drejt.
Ai komentoi ligjin e SHBA-së për Reduktimin e Inflacionit, i cili u nënshkrua në gusht për investime urgjente për të ulur kostot e barnave me recetë, kostot e kujdesit shëndetësor dhe kostot e energjisë.
Zhao tha se SHBA-ja zbatoi ligjin “për interesat e veta duke injoruar ndikimin në vendet e tjera, përfshirë të ashtuquajturit aleatët dhe partnerët e saj”.
“Ky është një tjetër shembull i hegjemonisë se Amerika e para”, citoi gazeta shtetërore “Global Times” të ketë thënë Lijian.
“Nuk është çudi që disa media evropiane thonë se Evropa duhet të pyesë: Pse paqja dhe prosperiteti ynë duhet të varen nga interesat e SHBA-së?”, tha zëdhënësi.
Udhëheqësit evropianë përflitet se janë ankuar për pakon që ofron subvencione të mëdha për produktet e prodhuara në SHBA, të cilat mund të sjellin disavantazhe për kompanitë jo-amerikane dhe se janë një goditje për ekonomitë e tyre ndërsa kontinenti merret me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë që filloi në shkurt.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili u takua me homologun amerikan Joe Biden të enjten, tha se Akti i Reduktimit të Inflacionit është “super agresiv” ndaj kompanive evropiane, sipas një raporti.
Kina nuk e ka mbështetur drejtpërdrejt fushatën ushtarake të Rusisë, por të dy vendet kanë deklaruar një partneritet “pa kufij”.
Perëndimi, ndërkohë, ka vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Moskës duke i ofruar Kievit mbështetje financiare, humanitare dhe ushtarake për t’u mbrojtur nga “agresioni” rus.
Përveç tensioneve gjeopolitike, krizës energjetike evropiane dhe inflacionit, lufta ka çuar në 17.023 viktima civile në Ukrainë: 6.655 të vrarë dhe 10.368 të plagosur, sipas OKB-së./FolDrejt/