Kirurgët e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, do të presin deri në shtator për realizmin e kërkesave të tyre: rritjen e koeficientit dhe kategorizimin e pagave.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, tha për Radio Kosovën se kërkesë e tyre është që kirurgët të paguhen me koeficientin 7. Ndërkohë edhe Ministra e Shëndetësisë është e përkushtuar që kirurgëve t’u rriten pagat në mënyrë që atyre t’u kthehet dinjiteti, thotë për Radio Kosovën Albatrit Matoshi, këshilltari i ministrit Uran Ismaili.
Federata e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës do të mbështesë kirurgët e SHSUK-së, deri në realizimin e kërkesave të tyre në tërësi. Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, tha për Radio Kosovën se kërkojnë që kirurgët të paguhen me koeficientin 7, si dhe të bëhet kategorizimi i pagave brenda institucioneve shëndetësore. Syla, bëri me dije se bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, këto kërkesa janë dorëzuar pranë Zyrës së Kryeministrit.
”Ata kanë ofruar për momentin koeficientin 4.2. Sinqerisht, edhe nuk janë shumë të qartë ata. Ne përveç që kemi kërkuar koeficientin 7, kemi kërkuar edhe kategorizim brenda vetë mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë. E tash, të gjitha këto kanë shkuar te zyra e kryeministrit dhe jemi në shqyrtim të këtyre kërkesave”, tha Blerim Syla.
Edhe drejtori i Kirurgjisë Abdominale në SHSKUK, Rifat Bajrami, tha se janë koordinuar me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës që të mos mbajnë ndonjë grevë eventuale. Bajrami thotë se për realizimin e kërkesave të tyre, do të presin deri në muajin shtator.
”Paga jonë të jetë një pagë e dinjitetshme. Por nëse këto nuk ndodhin deri në muajin shtator, në koordinim prapë me sindikatën do të merremi vesh që të marrin masa. Do na e referojë sindikata se çka të veprojmë tutje. Diçka kokë më vete njëherë- përnjëherë nuk do të veprojmë asgjë”, tha Rifat Bajrami
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që profesionistëve shëndetësorë t’u rritet paga dhe të bëhet kategorizimi i tyre. Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë se ende nuk është definitive se me çfarë koeficienti do të paguhen kirurgët.
”Kanë mbetur edhe disa diskutime që do të bëhen me ta dhe Ministrinë e Financave, dhe pastaj do të shikohet se deri në çfarë koeficienti do të mund të rriten këto paga. Ajo çfarë është më e rëndësishmja është se për herë të parë profesionistët shëndetësorë do të kenë paga, e cila, sipas mendimit tonë, do të ndikojë që personelit tanë shëndetësor t’i kthehet njëherë e përgjithmonë dinjiteti”, deklaroi Albatrit Matoshi.
Ndryshe, tashmë disa nga kërkesat e kirurgëve, siç është ajo për rritjen e pagesës së kujdestarive, janë realizuar. Kirurgët që nga fillimi i vitit kanë mbajtur disa greva, duke shprehur revoltën e tyre për mos realizmin e kërkesave të tyre për rritje dhe kategorizim të pagave