Gjashtë palestinezë u vranë të martën nga zjarri izraelit gjatë një sulmi ushtarak në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, tha Ministria e Shëndetësisë palestineze.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se janë plagosur edhe 26 palestinezë të tjerë, tre prej tyre në gjendje të rëndë.
Në një njoftim të mëhershëm të ministrisë, theksohej se një 26-vjeçar është qëlluar me plumb në gjoks dhe është plagosur rëndë dhe më pas mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Televizioni palestinez raporton se forcat izraelite, të mbështetura nga buldozerë, sulmuan kampin e refugjatëve në Jenin dhe rrethuan shtëpinë.
Deklarata ushtarake izraelite tha se forcat ushtarake po operonin në zonën e Jeninit, por nuk dhanë detaje.
Tensionet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar janë rritur javët e fundit mes bastisjeve të përsëritura izraelite në qytetet palestineze.
Pothuajse 75 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit që nga fillimi i vitit, sipas Autoritetit Palestinez. Dymbëdhjetë izraelitë u vranë në sulmet palestineze.
Agjencia Reuters publikoi një foto të konfliktit që bëri xhiron në rrjet. Gjegjësisht, gazetari ka regjistruar momentin në të cilin një burrë me një maskë në kokë, me gjasë palestinez, qëllon nga dritarja ndërsa dy duar e mbajnë që të mos bjerë nga ndërtesa.
Kujtojmë se izraelitët kanë intensifikuar sulmet dhe kanë paralajmëruar sulme të tjera në ditët dhe muajt në vijim mbi popullin palestinez. /FolDrejt/