Titulli në Premier League akoma nuk ka një “pronar” pasi në garë janë akoma dy ekipe që po luftojnë mes tyre për t’u shpallur kampionët e rinj të kampiontit anglez.
Manchester City udhëheq kampionatin aktualisht me 4 pikë më shumë se Liverpool, me këtë të fundit që përballet nesër me Southampton dhe një fitore ndaj skuadrës së Armando Brojës, diferenca do të shkurtohej në 1 pikë.
Duke parë një situatë të tillë duket se trajneri i “The Reds” është “dorëzuar” sa i takon titullit, pasi thekson se është shumë e vështirë që kundërshtari i tyre të gabojë dy herë rresht, siç bëri së fundmi me barazimin ndaj West Ham.
“A ka Liverpool shanse për titullin? Nuk mendoj se kemi shumë shanse për t’u shpallur kampionë. Unë nuk e mbaj mend herën e fundit kur City ka gabuar dy ndeshje radhazi, pa harruar këtu që Aston Villa duhet të luajë në mesjavë dhe mund të mos jetë në formën ideale të dielën. Nuk pres që City të gabojë dhe të lejë pikë”, u shpreh Klopp.
Kujtojmë se aktualisht diferenca mes Liverpool dhe Manchester Cityt të vendit të parë është katër pikë, por do të ngushtohej në vetëm një nëse të kuqtë fitojnë ndaj Southampton. Në këtë formë, Cityt do t’i duhej vetëm fitorja ndërsa një barazim apo humbje do të shkonte në favor të Liverpool që gjithashtu do të duhej të fitonte në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Wolverhampton në shtëpi./FolDrejt/