Komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.
Në një gazetë italiane Corriere Della Sera, Ristuccia i ka cilësuar si “të njëanshme” veprimet e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në pjesën veriore të Kosovës.
“Vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të panjohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, ka thënë Ristuccia në një intervistë për gazetën e lartpërmendur italiane.
“Ky mjedis është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme, krejtësisht jofunksionale ndaj objektivave të paqes që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë në Kosovë”.
“Në njëzet vjetët e fundit janë arritur rezultate të rëndësishme. Edhe në kushtet e bashkëjetesës paqësore. Por, duke filluar nga viti 2021, vetëm një hap prapa, si karkalecat. Për shkak të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të shfrytëzuara nga të gjitha palët e përfshira në emër të politikave ekstremiste, të cilat kanë cenuar stabilitetin mes dy grupeve etnike”, ka shtuar më tej Ristuccia./FolDrejt/