Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit në Maqedoni i ka dhënë dritë jeshile propozimit për heqjen e mandatit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili përballet me akuzën e abuzimit të fondeve publike.
Ndaj tij gjykata ka vendosur dënimin me 2 vjet burgim dhe më së voni duhet të fillojë në 8 nëntor.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajko Velanoski, ka deklaruar se procesi ndaj ish-kryetarit të tij është i montuar politikisht. Ndërsa kryetari i komisionit, Pavle Bogoevski, ka thënë se ish-kryeministri nuk është i denjë për të ushtruar funksione në Parlament. Një grup mbështetësish ndaj Gruevskit kanë dalë përpara Gjykatës në Shkup dhe kërkojnë liri, mes protestuesve janë edhe figura të larta shtetërore si deputetët Johan Tarçulovski, Vladimir Taleski, Dragan Danev dhe Stevço Jakimovski.