Komuna e Gjilanit pritet që së shpejti t’i funksionalizojë tri bibliotekat e mbyllura në fshatrat Malishevë, Përlepnicë dhe Dobërçan. Kjo bëhet e ditur nga përgjigjjet e Drejtorisë së Kulturës në lidhje me tri bibliotekat të cilat ka muaj e vite që kanë qenë jashtë funksionit të tyre.
Shkruan: Gëzim Olluri
Biblioteka e Malishevës ka tri vite që është rrënuar dhe nuk është ndërtuar më. Ajo e Përlepnicës dhe Dobërçanit gjithashtu janë jashtë funksionit për shkak që bibliotekistët kanë shkuar në pension. Mirëpo, nga Drejtoria e Kulturë janë deklaruar se së shpejti bibliotekat pritet të funksionalizohen posa të plotësohen vendet e punës.
“Zyra e personelit që udhëheq procedurat e rekrutimit, besoj se së shpejti do t’i hapin konkurset për vendet e punës për plotësimin e stafit në biblioteka për punëtorët që kanë dalë në pension. Dhe, asnjëherë nuk janë biblioteka të neglizhuara, por janë degë të bibliotekës amë. Ne shpresojmë se së shpejti do t’i plotësojmë këto vende pune dhe të kthehet normaliteti i funksionimit të bibliotekave nëpër degët e fshatrave”, ka shkruar Kushtrim Zeqiri – Drejtor i Kulturës në Gjilan.
Sa i përket bibliotekës së Malishevës, bëjnë me dije që objekti i saj është rrënuar nga qeverisja e kaluar kur qeveriste Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe nuk ka pasë mirëkuptim që ajo të vazhdojë veprimin në objektin shkollor të fshatit.
“Biblioteka e Malishevës është mbyllur që kur është prishur objekti i Shtëpisë së Kulturës nga qeveria e kaluar komunale. Biblioteka ka qenë e vendosur aty, është tentuar të dërgohen në lokalet e shkollës së Malishevës, por nuk kanë gjetur mirëkuptim. Të gjitha librat, revistat dhe materialet e bibliotekës kanë kaluar në bibliotekën amë dhe bibliotekistja Bukurije Rashiti ka kaluar në bibliotekën e qytetit”.
“Fol Drejt” ka dërguar paraprakisht kërkesë me shkrim edhe në Ministri të Kulturës nëse do t’i ofrojnë bashkëpunim Komunës së Gjilanit, por kanë thënë se nuk është përgjegjësia e ministrisë, por e Bibliotekës Kombëtare në lidhje me bibliotekat e fshatrave.
“Ju informojmë se bibliotekat e qyteteve nuk veprojnë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Ato janë nën mbikëqyrje të Bibliotekës Kombëtare dhe të Komunave përkatëse”, – është përgjigjja nga Besë Hajdari – zyrtare për informim nga Ministria e Kulturës.
Faktikisht, përgjigjja nga Ministria e Kulturës përkon me të dhënat ligjore për bibliotekat ngase kjo qartësohet sipas ligjeve aktuale, por prapë se prapë edhe Biblioteka Kombëtare është nën mbikëqyrje të Ministrisë së Kulturës. Rrjedhimisht për veprimin dhe funksionimin e bibliotekave në gjithë territorin e Kosovës, Biblioteka Kombëtare duhet të informojë ministrinë nga e cila mbikëqyret.
Neni 17 – Pika 3: Organizimi dhe funksionimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është nën autoritetin e Ministrisë përkatëse për Kulturë.
Neni 17 – Pika 18: Biblioteka Kombëtare ofron këshilla profesionale dhe ushtron mbikëqyrje profesionale ndaj të gjitha llojeve të bibliotekave.
Nga ana tjetër, ka pika që tërthorazi e bëjnë përgjegjëse Ministrinë e Kulturës. Kjo theksohet më qartësisht tek neni 4 sa i përket funksionimit të bibliotekave.
Neni 4, pika 2: Kushtet dhe kriteret për themelimin dhe funksionimin e bibliotekave përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria përkatëse për Kulturë në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për Arsim dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Neni 16, pika 2: Strategjinë për zhvillimin e bibliotekave të Kosovës e harton Ministria përkatëse për Kulturë, ndërsa e miraton Qeveria.