Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Rezallë, në përvjetorin e 25-të të masakrës që ndodhi atje.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka kujtuar 98 shqiptarët e vrarë nga policia dhe ushtria okupatore serbe.
Ai u shpreh se Serbisë i kanë ndryshuar rrethanat, por jo mendësia. Pa e ndryshuar mendësinë dhe pa u përballur me krimet e veta, përballë nesh ajo do të përbëjë gjithnjë shtetin e zhytur në krimin e përbindshëm dhe kërcënim të vazhdueshëm.
Ky është postimi i tij i plotë:
Me 5 prill të vitit 1999, policia dhe ushtria okupatore serbe masakruan 98 shqiptarë në Rrezallë të Skënderajt dhe në fshatrat përreth, ndërsa trupat e 44 prej tyre ata i zhdukën me dhunë.
Rrezalla nuk ishte episod i izoluar apo rast përjashtimor, por ndodhi në vazhdën e fushatës së krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit, masakrave të njëpasnjëshme dhe spastrimit etnik, që ishin mekanizma dhe mjete të shtetit të Serbisë, si strukturë e kalkulimit dhe gjenerimit të vrasjes në masë.
Serbisë i kanë ndryshuar rrethanat, por jo mendësia. Pa e ndryshuar mendësinë dhe pa u përballur me krimet e veta, përballë nesh ajo do të përbëjë gjithnjë shtetin e zhytur në krimin e përbindshëm dhe kërcënim të vazhdueshëm. Ne kemi dëshmorë e martirë të cilëve u përkulemi, ndërsa Serbia kriminelë lufte që i mbron.
Rrezalla është pjesë e dhimbjes sonë të madhe, ku martirët lanë dëshminë e sakrificës si çmim të lirisë. Për ta ne do të vijojmë të kërkojmë drejtësi. Sot bëra homazhe aty, për nder të kësaj sakrifice të tyre. Ata nuk do të harrohen kurrë, sepse gjithmonë do të frymojnë tek liria jonë, e do të kujtohen përherë, sepse qëndrojnë në themelet e shtetit tonë.
Lavdi martirëve të lirisë!