Glauk Konjufca e ka kujtuar prillin e 23 viteve më parë.
Ai ndër të tjera ka thënë se ky muaj para 23 viteve erdhi i thyer për Kosovën, transmeton Fol Drejt.
Në postimin e tij në Facebook, Konjufca u shpreh:
“Prilli i vitit 1999 erdhi i thyer në Kosovë, i kobshëm e i trishtë për popullin tonë. Vetëm gjatë atij muaji më shumë se 1500 jetë të shuara mizorisht, fëmijë, gra e pleq, vëllezërit e motrat tona të masakruara dhe të zhdukura me dhunë nga ushtria, policia dhe paramilitarët e Serbisë. Shtëpitë digjeshin bashkë me trupat e njerëzve të gjallë.
Sot, 23 vite pas, le t’i kujtojmë Lybeniqin, Gjakovën, Mejën, Sopinë, Kralanin, Qypevën, Rezallën, Kaçanikun, Lubizhdën, Sllovinë, Poklekun, Çikatovën e Vjetër, Ribarin e Vogël, Koliqin, Hallaçin e Vogël, Grashticën, Dobroshin, Korenicën, Guskën dhe shumë vendbanime tjera si dëshmi e masakrave më të pamëshirshme, barbarizmit dhe gjenocidit të Serbisë pushtuese në Kosovë.
Dëshmorët dhe martirët janë kujtimi ynë i përmotshëm dhe drita e pashuar e lirisë së Republikës!
Lavdi!”/FolDrejt/