Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në hapjen e ekspozitës me piktura të ish-luftëtarit të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka thënë se ai ndonëse po akuzohet padrejtësisht në Hagë bashkë me veprimtarë të tjerë, ai po komunikon me ne përmes pikturave që i ka dërguar prej Hagës.
“Në këtë ekspozitë, pikturat të cilat Rexhep Selimi i ka dërguar nga Haga ku po gjykohet e ende nuk ka filluar gjykimi, ku po akuzohet e ende pa aktakuzë së bashku edhe me bashkëveprimtarët e tjerë të cilët padrejtësisht po akuzohen në Hagë. Por, ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm si popull për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës tonë çlirimtare t’i kontribuoj i gjithë populli që ishte pjesë e luftës tonë të drejtë”, tha Konjufca në hapje të ekspozitës.
“Urojmë dhe shpresojmë që të kthehen sa më shpejt në mesin tonë e që të dalin të pafajshëm. Por, Rexhep Selimi përmes punës së tij po tregon se është në mesin tonë dhe po komunikon me ne përmes artit dhe pikturave që na i ka dërguar prej atje”, ka shtuar ai tutje.
Konjufca njëkohësisht ka treguar se me sa befasi e kishte pritur lajmin se Rexhep Selimi kishte nisur pikturimin, ngaqë e kishte njohur si poet, muzikant dhe sipas tij të fillosh të pikturosh në moshën 40-vjeçare është e admirueshme.
“Befasi e jashtëzakonshme ka qenë lajmi se Rexha ka nis me pikturu, ka qenë viti 2016 kur Rexha ma dërgoi pikturën e tij të parë edhe mua ma dërgoi nëpërmjet telefonit edhe tha çka mendon për këtë pikturë, e shikova pikturën dhe e analizova dhe me aq sa kam njohuri për artin tonë kosovarë thash kjo me siguri mund të jetë pikturë e Simon Shirokës sepse edhe për shkak të elementeve që përmban”.
“Më tha Glauk piktori jam unë dhe u trondita sepse e kam njohur Rexhën si muzikant, si poet dhe kjo ishte tronditje meqenëse gjithçka që dija për artin m’i sfidoi. Të fillosh të pikturosh në moshën 40 vjeçare është e çuditshme por fakti që e ka aktualizuar është admirueshme”, ka shtuar tutje Konjufca.
Kujtojmë se ekspozita me pikturat e Rexhep Selimit, e titulluar “Në garë me botën gri”, u hap sot në orën 12:00 dhe do të mbetet e hapur gjer me datën 4 dhjetor./FolDrejt/