Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka nisur sot një vizitë zyrtare dyditore në Paris, Francë, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, ku do të zhvillojë takime kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja.
Ditën e premte në orën 8.30, Rama do të zhvillojë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës MEDEF, nën drejtimin e Jean-Paul Agon. Gjatë takimit do të prezantohen disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet.
Të premten, në orën 12.30, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13.00, Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga presidenti francez Emmanuel Macron me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.
Në orën 14.45, Rama dhe Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë.
Agjenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.