Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka qëndruar në Istog, ku ka parë nga afër gjendjen e krijuar si pasojë e vërshimeve që goditën disa qytete të Kosovës.
Kurti njoftoi se përveç dëmeve materiale, nuk ka qytetarë të lënduar e as të vdekur.
Tutje, kryeministri Kurti ka premtuar përkrahje dhe ndihmë për të gjithë banorët e prekur nga komunat ku pati vërshime, duke thënë se qeveria qëndron pranë tyre.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.
Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, ka thënë kryeministri Kurti./FolDrejt/