Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në diskutimin “Ballkani Perëndimor: Një pjesë qendrore për paqen e qëndrueshme në Evropë” organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë, si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri.
Gjatë këtij diskutimi, Kurti ka përmendur ndër tjerash çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, duke vlerësuar se dialogu nuk ka alternativë.
“E di që shumë në Bruksel presin që Kosova të arrijë në dialog pa vënë në pikëpyetje kërkesat irracionale të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me vlerat themelore të BE-së.
Në përpjekje për të qenë neutral ndaj statusit të Kosovës, ata janë bërë neutral ndaj agresionit të Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe neutral ndaj mospërfilljes së vlerave të BE-së nga Serbia.
Por ne po bëjmë pjesën tonë. Kosova është e gatshme për dialog dhe do të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përkundër synimeve malinje të kësaj të fundit, sepse ne besojmë se dialogu nuk ka alternativë.
Por ne angazhohemi me parime dhe jemi të drejtuar nga vlerat. Jo thjesht të nxitur nga interesi. Interesi dhe vlerat nuk duhet të ndahen.
Ne besojmë se dialogu ka të bëjë me njohjen reciproke.
Sepse njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe demokratizimi i vërtetë i të gjithë rajonit sjell paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuon për një paqe të qëndrueshme në Evropë”, ka thënë ndër tjerash kryeministri Kurti.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti:
I nderuar Dr. Emil Brix, Drejtor i Akademisë Diplomatike të Vjenës,
I nderuar Werner Fasslabend, President i Institutit Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë,
Të nderuar akademikë, diplomatë, ambasadorë dhe studentë,
Jam i nderuar që jam këtu me ju në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku për dy shekuj, burra dhe gra kanë studiuar e hulumtuar, janë trajnuar dhe janë drejtuar në rrugëtimet e tyre në karrierën e tyre në udhëheqjen ndërkombëtare.
Sot më herët, me të nderuarin kancelar Karl Nehammer, përmenda se Vjena njihet si qyteti i kompozitorëve të mëdhenj dhe po ashtu mendimtarëve të mëdhenj, por Vjena është gjithashtu qyteti i diplomacisë që ka pritur konferenca të panumërta paqeje dhe ka formësuar dinamika historike.
E di që ju keni bashkëpunim me Ministrinë tonë të Jashtme dhe se shumë diplomatë tanë janë trajnuar këtu. Unë jam mirënjohës për këtë dhe inkurajoj rritjen e bashkëpunimit në trajnimin e mëtejshëm të trupit tonë diplomatik mjaft të ri.
Pra, faleminderit për mundësinë të ju drejtohem sot këtu në këtë institucion të nderuar.
Se po jetojmë në kohë në ndryshim, tashmë është vërtetuar.
Ajo që shumë kishin frikë dhe shpresonin se nuk do të ndodhte, tashmë ka ndodhur.
Rusia pushtoi Ukrainën, një vend demokratik dhe paqedashës që nuk bëri asgjë për të provokuar fqinjin e saj.
Kjo ka pasur një ndikim të thellë në gjeopolitikë dhe përfundimisht ka shkundur Evropën nga vetëkënaqësia.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka dhënë tashmë një emër një ndryshimi të tillë. Ai e quan atë – Zeitenwende.
Lufta në Ukrainë ka bërë shumë komentues të pyesin veten, si arritëm deri këtu?
Ndërsa nuk kam përgjigje për të gjitha pyetjet e vështira që janë shfaqur pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe tensioneve të ripërtërira në Ballkanin Perëndimor, apo në Evropën Juglindore për këtë çështje, do të përpiqem të jap mendimin tim se pse ne gjejmë veten këtu dhe çfarë nevojitet për të arritur në një gjendje më të mirë.
Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit, Evropa dhe bota u zotuan se kurrë më nuk (Never Again) do të lejojnë të ndodhin mizori të tilla.
Megjithatë, ne pamë që gjenocidi të ndodhte përsëri në Evropë; në Bosnje dhe Kosovë dhe në mbarë botën; në Ruandë, Darfur, Irak dhe Siri.
I mbijetuari i Holokaustit dhe autori Elie Wiesel ka thënë se: “Kurrë më” është një frazë që është shumë më tepër se një slogan. “Është një lutje, një premtim, një zotim … kurrë më lavdërim të dhunës së ulët, të shëmtuar dhe të errët.”
Duke qenë nga një rajon i kontestuar dhe një vend i shkatërruar nga lufta, unë kam parë fuqinë shkatërruese të urrejtjes kundër popullit tonë, e cila kulmoi me spastrim etnik dhe gjenocid nga forcat serbe.
Në mënyrë të pashmangshme pyesim veten, pse ndodhi përsëri? Si mundëm të lejojmë që gjenocidi të përsëritet në Evropë? Përgjigja, sado e ndërlikuar që ndonjëherë të duket, besoj se është mjaft e thjeshtë.
Ajo qëndron në mosgatishmërinë për t’u përballur me të kaluarën, për të përqafuar të ardhmen dhe për t’u distancuar nga kriminelët e luftës që kryen gjenocid.
Në vend të kësaj, ne shohim glorifikimin e kriminelëve të luftës, por edhe glorifikimin e një të kaluare imperialiste, një rikthim në kohët e zgjerimit territorial, të lavdisë së kaluar, të pushtetit dhe dominimit mbi të tjerët, gjë që siç e shohim në rastin e agresionit rus në Ukrainë, shkon qysh në mesjetë.
Ajo qëndron edhe në pamundësinë për të pranuar tjetrin si një qenie njerëzore të barabartë, duket e qartë, por nuk është aq e natyrshme sa duhet të jetë, për të pranuar kështu ekzistencën dhe aspiratat legjitime të njëri-tjetrit.
Një mendim i tillë çon në urrejtje për tjetrin e cila më pas derdhet në dhunë.
Dallimet ideologjike, raca, mosha, feja ose besimi, gjuha, gjinia dhe gjithçka që na bën të ndryshëm nga njëri-tjetri shfrytëzohen më pas për ta portretizuar tjetrin si armik.
Nuk besoj se dallimet sjellin konflikt, por instrumentalizimi i tyre për përfitime politike apo ekonomike i kthen në konflikt.
Kjo është ajo që pamë në shekullin e kaluar; kjo është ajo që çoi në shumë luftëra dhe konflikte.
Në pjesën më të madhe të Evropës, përgjigja për një masakër të tillë që nuk i shihej fundi ishte lindja e Komunitetit Evropian, i njohur tani si Bashkimi Evropian.
Ndonjëherë është e lehtë të harrohet, por Bashkimi Evropian si një projekt paqeje dhe proces historik I bashkëpunimit midis kundërshtarëve të vjetër u bë i mundur vetëm pas pranimit të përgjegjësisë për luftën, pas një pendimi kuptimplotë që çoi në gjunjëzimin e një kancelari dhe përqafimin e demokracisë së vërtetë.
Pra, çfarë ka të bëjë e gjithë kjo me Ballkanin Perëndimor, apo paqen e qëndrueshme në Evropë, mund të pyes dikush?
Unë besoj që gjithçka.
Arsyeja kryesore dhe e vetme pse ne ende shohim tension në pothuajse çdo vend të Ballkanit Perëndimor është sepse agresori, ai që nisi të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, refuzon të marrë përgjegjësinë. Në vend që të njeh dhe pranojë rolin e vet, dëshiron të portretizojë dallimet në të gjithë rajonin si burim konflikti.
Pothuajse 24 vjet pas gjenocidit në Bosnje dhe Kosovë, Serbia nuk pranon asnjë krim. Asnjëherë nuk ka kërkuar falje dhe as nuk ka marrë asnjë përgjegjësi.
Përkundrazi, udhëheqja e saj aktuale, e cila ishte në pushtet në kohën e Millosheviqit, vajton për humbjet e saj territoriale dhe i konsideron kriminelët e luftës si heronj.
Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vëren një objekt që noton mbi ujë. Është një copë kamioni. Thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare. Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve.
Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit. Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë.
Ndërsa ne e dimë se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne o ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj. Dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99.
Nën një poligon qitjeje policie në periferi të Beogradit, në Batajanicë, jo larg “Sheshit të Republikës” së Beogradit, trupat e më shumë se 744 shqiptarëve u gjetën në një varr masiv.
Ata trupa u varrosën në Kosovë, pastaj u zhvarrosën dhe u transportuan në Serbi për rivarrim të fshehtë në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve të luftës. Midis këtyre trupave ishin dyzet e gjashtë anëtarë të familjes Berisha; 14 prej tyre nën 15 vjeç, mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë.
Pranë varrit masiv është ndërtuar një kishë e re ortodokse serbe.
Deri më sot, në Serbi janë gjetur pesë varre masive, në Batjanicë, Rudnicë, Kizhevak, Peruqac dhe Petrovo Selo me gjithsej 950 trupa.
Megjithatë, nuk ka një pllakë përkujtimore dhe as një shenjë të vetme që tregon se ka pasur një varr masiv në të gjitha këto vende.
Sot, autori që kreu gjenocid vetëm pak më shumë se dy dekada më parë vepron si viktimë dhe mohon krimet.
Mohim i plotë.
Por ne nuk harrojmë. Historia e vajzës 7-vjeçare, e vrarë, e futur në kamionin ngrirës të thertores dhe e fundosur në fund të lumit Danub, nuk do të harrohet.
Duke filluar nga ky muaj, deri në qershor kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë në vitin 1999, pothuajse çdo ditë kemi përkujtimore të masakrave të kryera nga Serbia.
Pra, për sa kohë që udhëheqja në Serbi refuzon të pranojë krimet e tyre të së kaluarës, të kërkojë falje për keqbërjet e tyre, paqja e vërtetë dhe kuptimplote në Ballkanin Perëndimor është ende larg arritjes.
Në vend që të kërkojë falje, Serbia vazhdon të kërcënojë fqinjët e saj, të ndërhyjë në punët e tyre të brendshme dhe të përdorë pakicat etnike si mjet për destabilizim, në vend që të ndihmojë integrimin e tyre.
Ambicia e shekullit të kaluar për një “Serbi të Madhe” tani është ndryshuar në politikë “Bota Serbe”, identike me politikën e “Botës Ruse”, në kërkim për hegjemoni dhe dominim.
E megjithatë, përkundër gjithë kësaj, Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë për të kërkuar normalizimin e marrëdhënieve.
Në Forumin e Paqes në Paris, vitin e kaluar, thashë se Kosova dëshiron marrëdhënie paqësore dhe fqinjësore të mirë me Serbinë dhe se ne jemi të gatshëm të shtrijmë dorën nëse ata janë të gatshëm të hapin grushtin.
Është e qartë se nuk është mungesa e vullnetit nga ana jonë për të ecur përpara në një të ardhme bashkëpunuese, por mungesa e vullnetit të Serbisë për t’u distancuar nga e kaluara e saj.
Pyetja duhet të jetë, pse Serbia nuk është e gatshme të pranojë përgjegjësinë, të kërkojë falje dhe t’u shtrijë dorën e pajtimit viktimave të agresionit të saj?
Përsëri, përgjigjja është mjaft e thjeshtë.
Serbia nuk u transformua kurrë plotësisht. Ajo kurrë nuk i ndoqi dhe dënoi kriminelët e luftës në mënyrë kuptimplote, por përkundrazi u bë një parajsë e sigurt për ta.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, në vend që të sanksionojë kërcënimet dhe agresionin e Serbisë ndaj fqinjëve të saj, e ka shpërblyer atë me miliarda investime të BE-së dhe avancim drejt anëtarësimit në BE.
Ajo që lidershipi i Serbisë kuptoi është se për të marrë paratë e BE-së dhe për të avancuar drejt anëtarësimit në BE, pranimi i përgjegjësisë dhe distancimi nga Millosheviqi nuk ishte një parakusht.
Me fjalë të tjera, Serbia ka mundur të marrë paratë e BE-së duke refuzuar vlerat e BE-së. Sot, Serbia është i vetmi vend kandidat për në BE që nuk e ka sanksionuar apo dënuar agresionin rus në Ukrainë.
Për të dëshmuar talljen e saj ndaj detyrimit për t’u rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së, shtatorin e kaluar ministri i jashtëm i tyre nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella, ndërsa Rusia vazhdonte luftën e saj të pamëshirshme në Ukrainë.
Unë besoj se kjo është e gabuar.
E di që shumë në Bruksel presin që Kosova të arrijë në dialog pa vënë në pikëpyetje kërkesat irracionale të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me vlerat themelore të BE-së.
Në përpjekje për të qenë neutral ndaj statusit të Kosovës, ata janë bërë neutral ndaj agresionit të Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe neutral ndaj mospërfilljes së vlerave të BE-së nga Serbia.
Por ne po bëjmë pjesën tonë. Kosova është e gatshme për dialog dhe do të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përkundër synimeve malinje të kësaj të fundit, sepse ne besojmë se dialogu nuk ka alternativë.
Por ne angazhohemi me parime dhe jemi të drejtuar nga vlerat. Jo thjesht të nxitur nga interesi. Interesi dhe vlerat nuk duhet të ndahen.
Ne besojmë se dialogu ka të bëjë me njohjen reciproke.
Sepse njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe demokratizimi i vërtetë i të gjithë rajonit sjell paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuon për një paqe të qëndrueshme në Evropë.
Ndërkohë, ne vazhdojmë të forcojmë shtetin e Kosovës.
Megjithëse kontinenti ynë vazhdon të jetë rajoni më demokratik, raportet e besueshme sugjerojnë se gati gjysma e demokracive në Evropë – gjithsej 17 vende – kanë pësuar erozion demokratik në pesë vitet e fundit. Ndërkohë, në nivel botëror, gjysma e demokracive botërore janë në zmbrapsje dhe numri i vendeve që lëvizin drejt autoritarizmit në gjashtë vitet e fundit është më shumë se dyfishuar.
Kosova, nga ana tjetër, ka përparuar në dy vitet e fundit.
Vitin e kaluar ne u përmirësuam për 17 vende në Transparency International në luftën kundër korrupsionit dhe njëjtë (17) vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Ne u renditëm të parët për herë të dytë për shtetin e së drejtës në Ballkanin Perëndimor nga Projekti Botëror i Drejtësisë dhe të dytët në botë për përmirësim në vitin e kaluar.
Ne u ngritëm në grupin B nga grupi C në Indeksin e Pjekurisë Teknike të Qeverisë së Bankës Botërore (World Bank Government Tech Maturity Index) për fokus në qeverisjen digjitale.
Dhe kemi pasur një rritje të buxhetit prej 17% krahasuar me një vit më parë. Rritja jonë e BPV-së ishte 4% pas zbritjes së inflacionit. Eksportet u rritën me 23%, të hyrat tatimore me 22% pa ndryshuar politikën tonë fiskale, të ardhurat doganore me 11% dhe IHD me 47%.
Kemi dorëzuar aplikimet për anëtarësim si në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar, ashtu edhe në Bashkimin Evropian, një muaj më parë, dhe mezi presim të bëhemi anëtarë të Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Jam shumë i kënaqur me pritjen e ngrohtë të kancelarit Nehammer sot dhe angazhimin e tij për të mbështetur aplikimin tonë në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për procesin tonë të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ne do të punojmë së bashku për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe.
Dhe Austria ishte ndër vendet e para që njohu diplomat tona në një periudhë kur qytetarët tanë kishin shumë nevojë, gjatë aparteidit të viteve të ’90-ta, tre dekada më parë.
Rreth 70,000 qytetarë të Kosovës, shumë prej tyre që u shpërngulën këtu nga fillimi i viteve të ’70-ta deri në fund të viteve të ’90-ta për t’i shpëtuar pushtimit, e bënë Austrinë shtëpi të tyre.
Ata jetojnë, punojnë dhe studiojnë këtu dhe janë bërë ambasadorë tonë si dhe ura të gjalla midis dy vendeve dhe kulturave tona.
Ne jemi shumë mirënjohës për këtë lidhje dhe presim që të thellojmë dhe zgjerojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona miqësore, në çdo aspekt.
Muajin e ardhshëm do të festojmë 15- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
I jemi borxhli shumë diplomatëve dhe aktivistëve austriakë nga Ehard Busek e deri te Albert Rohan që kontribuan në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë.
Faleminderit për këtë mundësi.”, ka thënë kryeministri Kurti./FolDrejt/