Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e sotëm me OJQ-të dhe bizneset, ka njoftuar se nga tani këto dy të fundit do të mund të marrin statusin e ndërmarrjeve sociale
Sipas Kurtit, ky vendim mundëson punësimin dhe sigurimin e mirëqenies për grupet e cënueshme.
“Për herë të parë në Kosovë, qeveria jonë mundëson që organizatat jo-qeveritare dhe bizneset të regjistrohen e të marrin statusin e ndërmarrjeve sociale”, ka thënë Kurti.
Përtej statusit si ndërmarrje publike ose private, ai ka theksuar se nëpërmjet këtij vendimi nevojat e cënueshme të shoqërisë do të marrin adresë.
“Lehtësirat të cilat do t’iu ofrojnë ndërmarrjeve sociale e inkurajojnë aktivizimin në tregun e punës të personave nga grupet e cënueshme, ndërkaq në anën tjetër sigurojnë rishpërndarjen e të hyrave për t’i shërbyer pikërisht këtyre grupeve. Edhe të rritet punësimi, por edhe mirëqenia”, ka deklaruar kryeministri.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se kompanitë ku 30% e punëtorëve janë nga grupet e cënueshme, mund të aplikojnë si ndërmarrje sociale. Përfitimet janë që kompanitë ose OJQ-të lirohen nga tatimi në fitim.
“Ndryshe nga bizneset tradicionale të cilat kanë për qëllim maksimizimin e fitimit, ndërmarrjet sociale përdorin fondet e tyre për të avancuar misionin shoqëror, e në përkrahje të këtij misioni, ato pranojnë edhe lehtësira përgjatë operimit”, ka theksuar Murati.