Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë.
Kryeministri Kurti falënderoi agjencitë për kontributin që kanë dhënë për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe për sigurimin e kontingjentit të vaksinave anti-Covid. Kryeministri theksoi se aktualisht në Kosovë po ndodhin mesatarisht 10 vdekje në ditë, ndërsa asnjë pacient me koronavirus nuk po e mbijeton daljen nga respiratori.
Përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara të pranishëm në takim uruan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për fitoren në zgjedhje dhe formimin e qeverisë. Koordinatorja për Zhvillim e KB-ve, Ulrika Richardson tha se kabineti i ri qeveritar mund të llogarisë në ndihmën dhe mbështetjen e agjencive, por njëkohësisht tha se pret bashkëpunim dhe koordinim me qeverinë.
Edhe përfaqësuesit e tjerë e njoftuan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia me punën që kanë bërë dhe po e bëjnë në Kosovë, duke ofruar përkrahjen e mëtejshme.
Kryeministri Kurti u premtoi përkrahjen e tij dhe të kabinetit, sepse siç tha ai, duam të bashkëpunojmë me të gjithë për të mirën e Kosovës.