Kryetari i AlternAtivA-s, Afrim Gashi, i shoqëruar nga ish-ministri i Kulturës, aktualisht deputet i AlternAtivA-s, Hysni Ismaili, mbrëmë në Shkup ka realizuar takim me kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Shentop.
Në takim me Kryeparlamentarin Turk, Mustafa Shentop, u fol mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, marrëdhëniet politike-diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, si dhe raportet ndëretnike mes popullit turk dhe kombeve në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu, temë e bisedës Gashi-Shentop ishte edhe procesi euro-atlantik i vendit dhe roli i rëndësishëm dhe i fuqishëm diplomatik i Republikës së Turqisë në raport me Ballkanin dhe, veçanërisht, me Maqedoninë e Veriut.
Kryeparlamentari turk, Shentop, shprehu mirënjohje dhe falënderime miqësore drejt kryetarit Gashi, duke theksuar rolin konstruktiv dhe efektiv të AlternAtivA-s, si parti e qendrës së djathtë, në ndërtimin e urave vëllazërore dhe miqësore mes shqiptarëve dhe turqve.
Ndryshe, në fund të takimit, të dyja palët u dakorduan që takime të këtilla miqësore të vazhdojnë edhe në të ardhmen.