Perandoria Osmane jo vetëm që është shtrirë në tre kontinente, por ajo ka pasur ndikim edhe në përzgjedhjen e mbretërve jashtë juridiksionit të saj. Një shembull për këtë tregohet përzgjedhja e mbretit të Polonisë në fund të shekullit të XVI, ku kishte një luftë të ashpër diplomatike mes osmanëve, austriakëve dhe rusëve. Të parët tërthorazi kishin mbështetje edhe të francezëve, që në kohën e Sulejmanit të Madhërishëm kishin krijuar një aleancë të thellë. Kjo tregon se shpesh shtetet e vogla janë nën dirigjimin e shteteve të mëdha. Në vijim foldrejt.com, ju sqaron më konkretisht mbi këtë ngjarje që tregon pushtetin tepër të mash të Stambollit të atëhershëm.
Në një letër të Sulltan Selimit II në mars 1572, pak pas vdekjes së mbretit polak Sigismund, ai e konsideronte Poloninë “pjesë të territoreve të mbrojtura të sulltanit” dhe shtoi:
Stërgjyshërit tanë gjithmonë kanë qenë gati për të mbrojtur vendin tuaj kundër armiqve, kështu që edhe unë po ju jap juve një ahdname (një dokument mbrojtjeje me betimin përkatës) dhe unë e gjej me vend që ju të zgjidhni për mbret të Polonisë vëllain e mbretit të Francës; në përputhje me urdhrin tim perandorak ju zgjidheni atë për mbret dhe tregojini atij respektin e duhur; shmangia juaj nga kjo linjë nuk do të pranohet kurrë.
Sulltani më konkretisht kërkonte që udhëheqës i polakëve të bëhej vëllai i mbretit francez Charles IX, Henry.
Në një letër tjetër të dërguar nga sulltani për aristokratët polakë, ai u kërkonte polakëve që të rinin të qetë nga kërcënimet ruse dhe më tej shprehej se Devlet Giray-i, hani i Krimesë, kishte marrë urdhër për të marshuar me një ushtri të madhe kundër principatës së Moskës. Gjithashtu, trupat e Krimesë ishin të gatshme në çdo moment të dëbonin rusët që mund të hynin në Poloni (qershor 1573). Kurse në një letër drejtuar mbretit francez, sulltani shprehej që “ne kemi zgjedhur dhe caktuar vëllain tuaj si mbret të provincës së Polonisë dhe kjo u vlerësua si një shenjë vlerësimi për miqësinë tonë dhe besnikërinë e tij ndaj Portës së Lartë” (15 korrik 1572). Këshilli osman i Shtetit, ndërkohë kishte marrë masat e nevojshme për mbërritjen e sigurt të Henry-it në Poloni. Mbreti i ri i Polonisë hoqi dorë nga ndihma për Yuvan-in, vojvodën e Moldavisë, i cili kishte ngritur krye duke përllogaritur mbështetjen e Moskës dhe të Austrisë.
Megjithatë shumë shpejt vdes Charli IX në 1574, kështu që mbreti i Polonisë Henry, në mënyrë sekrete e la fronin për t’u ngjitur në fronin e Francës. Kjo solli edhe njëherë konfrontime mes Portës së Lartë në njërën anë dhe Austrisë e Rusisë në anën tjetër. Sulltani kësaj here i dërgon një letër kërcënuese Austrisë, se “do të kishte një ndërhyrje ose sulm kundër provincës së Polonisë, çka do të binte ndesh me marrëveshjet në fuqi.” Gjithashtu një paralajmërim ju dërgua edhe carit rus, se në rast se ndërhynte do niste një sulm nga Hanati i Krimesë. Kësaj here rol protagonist në dialog kreu veziri i madh osman Sokollu Mehmet Pasha.
Përfundimisht në krye të mbretërisë polake u vendos vasali osman Stephen Bathory, njëkohësisht vojvodë i Transilvanisë. Rusia u mbajt nën presion nga Hanati i Krimesë, kurse perandori Maximilian u frenua me anë të një sulmi të bejlerbeut të Budinit. Mbreti energjik Bathory (1575-1586) rivendosi nën kontroll territoret polake të invaduara nga Rusia. Në këtë mënyrë, osmanët ruajtën balancën e fuqisë në Europën Lindore deri në kohën e ndarjes së Polonisë në shek. XVIII (1572-1795). Pra rreth dyqind vjet ata kanë caktuar ose kanë qenë protagonist në politikën polake.
Vërejtje: Për përpunimin e këtij artikulli është shërbyer libri “Qytetërimi Osman”, botuar në Tiranë 2018 nga Shtëpia Botuese “Alsar”.