Legjislatura aktuale e Kosovës deri më tash është karakterizuar me planifikim të dobët të punës, vlerësojnë analistët nga organizatat joqeveritare, të cilat monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës.
Sipas tyre, seancat plenare nuk janë të rregullta, ndërkohë që pikat që përcaktohen për tu diskutuar në seanca plenare, grumbullohen dhe zvarritet diskutimi i tyre me muaj të tërë. Në shumicën e rasteve, sipas tyre, kur duhet miratuar ligjet, numri i deputetëve është i pamjaftueshëm. Ata fillimisht shënojnë praninë e tyre dhe më pas braktisin seancën.
Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se puna e Kuvendit dhe efekti i vendimeve të saj është duke u dëmtuar jashtëzakonisht shumë, për shkak se çështjet që ngrehen në Kuvend dhe që nuk trajtohen në kohën e duhur, ato mund të mos jenë më relevante në nj periudhë të mëvonshme.
“Kryesia e Kuvendit më shumë nuk është në krye të detyrës se sa që është e organizuar në mënyrë të përgjegjshme për të pasur një planifikim shumë më të mirë të seancave,ta ketë një plan të punës, të cilin e respekton dhe t’i caktojë paraprakisht seancat, në mënyrë që edhe deputetët, por edhe anëtarët e kabinetit qeveritar, të përgatiten për pikat e rendit të ditës që diskutohen në Kuvend”.
“Besoj që kështu do të kishin mundur të kenë kuorum më të madh. Deputetët do të mund të merrnin pjesë në mënyrë më të rregullt në seanca plenare, kur këto (pikat e diskutimit) caktohen shumë më herët dhe do të dihej agjenda e punimeve të Kuvendit”, tha Krasniqi.
Analisti Krasniqi, shpreh mendimin se fajin për jo efikasitetin e Kuvendit të Kosovës e mbajnë edhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, të opozitës dhe të pushtetit.
Partitë opozitare, sipas tij, përkundër faktit se janë treguar konstruktive për miratimin e ligjeve që kanë ardhur nga Qeveria e Kosovës, në anën tjetër janë treguar joracionale në kërkesat e tyre, me interpelancat e shpeshta dhe rezoluta, të cilat më tepër kanë pasur natyrë populiste.
Siç thotë Krasniqi, partitë në pushtet më shumë kanë qenë në shërbim të qeverisë se sa që kanë ushtruar rolin e tyre si deputetë që kërkojnë llogaridhënie më të madhe nga kabineti qeveritar.
Artan Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që Kuvendi i Kosovës, formalisht është funksional, por jo edhe në praktikë.
“Nuk po funksionon me vet fajin e deputetëve, të cilët nuk janë të pranishëm as në seancat plenare ku diskutohen politikat e ndryshme. Njëkohësisht, një pjesë e madhe e tyre nuk janë të pranishëm as nëpër komisionet parlamentare, ku fillimisht, aty duhet ti diskutojnë ligjet e që pastaj ti bëjnë gati për seancë. Kjo i bie që edhe pse formalisht është funksional, faktikisht po i bie që Kuvendi nuk po funksionon, sepse nuk po e kryen obligimin e vet kryesor kushtetues dhe ligjor që ka, që është miratimi i ligjeve”, theksoi Demhasaj.
Por, a ka sinjale që dinamika e punës së Kuvendit të ndryshojë pozitivisht apo në të kundërtën si pasojë e kësaj situate mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme?
Analisti Krasniqi, shpreh mendimin se partitë politike, tash për tash, nuk janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme, por situata mund të ndryshojë.
“Në mungesë të një interesimi për punën në Kuvend dhe për çështjet që diskutohen aty, po pëson puna e Kuvendi. Kështu po përgatitet një terren për të pasur zgjedhje në një periudhë të vitit të ardhshëm. Zgjidhja më e mirë do të ishte që të kishim një mocion të votëbesimit prej anës së kryeministrit dhe ky është një opsion për ata kryeministra, të cilët janë të përgjegjshëm dhe të cilët nuk kanë një shumicë parlamentare në Kuvend”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, Demhasaj, shpreh mendimin që fillimisht vet Kuvendi duhet të ndërmarrë masa ndaj deputetëve që nuk i përmbushin obligimet kushtetuese, për të cilat kanë marrë votën e zgjedhësve.
“Duhet filluar që të merren masa ndëshkuese ndaj deputetëve, të cilët nuk janë të pranishëm në komisione dhe njëkohësisht edhe në seanca plenare, sepse ata janë zgjedhur që ta përfaqësojnë popullin në Kuvend të Kosovës. Por, nëse e shohim që fare nuk po funksionon, atëherë e shohim se Kuvendi po dështon. Pra, nëse nuk po e kryen funksionin primar, votimin e ligjeve, atëherë duhet të merret parasysh edhe shkuarja në zgjedhje”, u shpreh Demhasaj.
Prej 130 projektligjeve të cilat janë paraparë për miratim në Kuvendin e Kosovës, janë miratuar 24 prej tyre. Ndërkaq, në procedurë e sipër janë 41 projektligje dhe në pritje për të hyrë në procedurë, janë 65 projektligje.