Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar takimin duke thënë se nuk ishte i lehtë, por se ishte i hapur dhe i sinqertë.
Lajçak bëri me dije se temë diskutimi ishte propozimi franko-gjerman dhe se kanë pritur kuptim më të mirë të mundësisë që ofron ky propozim.
“Qëllimi i takimit ishte të diskutojmë propozimin për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator e më pas në dhjetor. Kemi më shumë se dy orë në takim që do të thotë se takimi nuk ishte i lehtë, ishte i gjatë, por shumë i hapur dhe i sinqertë. Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë”.
“Kemi pritur kuptim më të mirë të mundësisë që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi”, është shprehur Lajçak pas takimit./FolDrejt/