Liderët e Bashkimit Evropian (BE) ranë dakord mbi një buxhet prej 1,8 trilionë eurosh dhe paketën e rimëkëmbjes nga COVID-19, tha presidenti i Këshillit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja u arrit në takimin e udhëheqësve të BE-së në Bruksel.
“Tani ne mund të fillojmë me implementimin dhe të rindërtojmë ekonomitë tona. Paketa jonë e rimëkëmbjes historike do të çojë përpara tranzicionet tona të gjelbra dhe digjitale”, tha Charles Michel në Twitter.
Ndërkohë, Barend Leyts, zëdhënësi i Michel, tha se “mekanizmi i kushtëzimit i sundimit të ligjit është miratuar”.
Liderët e BE-së më 21 korrik ranë dakord për shpenzimin e 1,82 trilionë eurove për periudhën 2021-27, që përfshin instrumentin e rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë evropiane pas krizës COVID-19.
Megjithatë, Hungaria dhe Polonia kishin bllokuar marrëveshjen, duke hedhur poshtë propozimin për të lidhur aksesin në fondet e BE-së me respektimin e sundimit të ligjit.
Kryesuesi i radhës i BE-së, Gjermania, ka negociuar midis palëve për të arritur një konsensus mbi çështjen.