Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka folur për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, që dikur ishte pjesë e LDK’së.
“Nga ato që kemi parë deri sot, nuk kemi parë asnjë veprim që është dalë mbi ushtrimin e detyrës kushtetuese.
Nuk e ka mbrojt auditorin e shtetit, sepse Qeveria ka kërkuar me ia mbyll mandatin. Presidentja ka mund të dalë mbi palët dhe me thënë që një auditor që ka bërë detyrën dhe është cilësuar si menaxheri më i mirë, duhet me bo këtë. S’duhet me bë. E ka lënë shtetin pa kryeprokuror, a e din çka është me lënë shtetin pa kryeprokuror, për kaq kohë të gjatë, është rrezik në kuptimin e sigurisë, si mesazh është shumë i keq”, tha ai.
Më pas, Haziri tha se Osmani si kolege më shpesh ka thënë ‘jo’ se ‘po’.
“Unë presidenten në detyrë, Vjosën ose kolegen më herët, e kam respektuar edhe për shkak të dallimeve që kemi pasur. Edhe kur kemi dalluar e kemi respektuar njëri- tjetrin. Ka ditë me thënë më shumë më shpesh jo se po dhe kjo është shumë e vërtetë. Por tash nuk po e vërejmë atë Vjosën e fortë në zbatim të ligjit, nuk është”, tha ai.
“Kjo tregon qartë që te ne ka gjetur ambient të demokracisë të brendshme dhe përtej kësaj i ka realizuar rrugën e vet politike, ëndërrat dhe aspiratat përmes LDK’së. Le të themi shkalla e fundit për t’i realizuar ëndërrat doli të jetë VV për të”, tha ai.
Haziri tha se nëse Osmani nuk e mbyll ndershëm mandatin, do të harrohet.
“Nëse nuk arrin me mbyll ndershëm këtë mandat dhe me mbet marionetë e Albin Kurtit në detyrë, njerëzit kanë me harru kush ka qenë presidente”, deklaroi ai.
Ai tha se për Osmanin “pritjet kanë qenë më të mëdha”.