Në kohën kur dronët turq kanë fituar emër të madh në arenën ndërkombëtare, duke e rënditur atë pranë Izraelit, Kinës dhe SHBA-së si superfuqi dronësh, një lajm jo i mirë vjen nga ish kryeministri shqiptar Pandeli Majko, i cili, indirekt e pranoi se Turqia po armatos edhe Serbinë.
“Ne kemi tre marrëdhënie strategjike, por Turqia ka një distancë, por e konsiderojmë të afërt. Turqia po furnizon me armatim Serbinë, e di, secilido e kupton se ne mbajmë shënim në marrëdhëniet shqiptare turke, kjo regjistrohet, kaq. Do të mbetet e shkruar në memorien shqiptaro-turke, nuk thash po e shpallim armike Turqinë” tha Majko.
I pyetur nëse një gjë e tillë e shqetëson, Majko theksoi se “Furnizuesi i parë i Serbisë është Rusia”. Më tej ai shtoi se “Në panik nuk duhet të jemi, sikur kanë ata miqtë e tyre, kemi edhe ne miqtë tanë. Ata (Kosova) nuk kanë tjetër veç nesh dhe nuk kemi tjetër përveç atyre” tha Majko, duke treguar se në fund të fundit për të fituar dhe mbrojtur lirinë duhet të luftojmë vetë.
Serbia po ndjek një rrugë mes Lindjes dhe Perëndimit, ku krahas perëndimit, po armatoset fuqishëm edhe nga Rusia, Kina dhe së fundi Turqia.
Në 6 tetor 2020 presidenti serb Aleksandër Vucic theksoi se do tentonte të bindte Turqinë për ti shitur dronët luftarak me pretekstin se “Serbia është vend neutral dhe nuk përbën asnjë rrezik për të tjerët,” informon foldrejt.com. Por duket që diplomacia serbe edhe kësaj here është treguar më e shkathët duke blerë edhe dronët turq. Ky është një mësim për diplomacinë shqiptare, që ndonjëherë të dijë të thotë “JO” dhe të luajë me disa forca, për sigurinë e qytetarëve të saj./Foldrejt.com