Qeveria e Malit të Zi ka vendosur të ringjallë projektin e nënshtetësisë ekonomike, i cili sipas reaksioneve, do të jetë i dobishëm për shtetin, por edhe mund të sjellë dëme serioze.
Në vendimin më të ri të qeverisë, prej 1 tetorit do të jetë e mundshme të merret nënshtetësia e Malit të Zi në bazë të investimeve në para në projektet zhvillimore.
“Programi i shtetësisë ekonomike do të jetë në dispozicion për një maksimum prej 2,000 aplikuesve më të referuar nga vendet jo anëtare të BE-së gjatë një periudhe të kufizuar prej tre vjetësh”, tha qeveria në një deklaratë.
Ambasadori i BE-së në Malin e Zi, Aivo Orav, tha se qeveria e Malit të Zi duhet të shqyrtojë me kujdes çështjen e nënshtetësisë ekonomike në mënyrë që ajo të mos bëhet pengesë në rrugën e vendit drejt integrimeve evropiane.
Në dispozicion do të jenë dy variante të nënshtetësisë ekonomike. E para, nënkupton investimin prej 250 mijë eurosh në projekte zhvillimore në rajonet e pazhvilluara të Malit të Zi dhe i dyti investime nën të njëjtat kushte, por në lartësi prej 450.000 euro.
Ndryshe, ish-kryeministri kontrovers tajlandez Taksin Shinavatra më 2009 mori nënshtetësinë e Malit të Zi me procedurë të shkurtër dhe pa shpjegime.
Biznesmeni i Malajzisë dhe lojtari i pokerit, Vei Seng Pua, i cili në vitin 2014 ishte arrestuar në Las Vegas për shkak të basteve të organizuara në ndeshjet e kampionatit botëror në futboll, pasaportën e Malit të Zi e kishte marrë si person i interesit të veçantë të shkencës, ekonomisë dhe interesave tjera të Malit të Zi.