Kryetari i Komisionit Rregullator i Energjetikës dhe Shërbimeve të Ujit, Marko Bislimoski, në një konferencë për media informoi për vendimin e marrë në seancën kryesore të komisionit, sipas së cilit është rritur çmimi i energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut.
“Komisioni Rregullator i Energjetikës në seancën kryesore të mbajtur sot ka marrë vendim me të cilin çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëritë rritet për 7,4 për qind. Kjo i referohet 98,8 për qind të amvisërive”, tha Bislimoski, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai theksoi se rritja e çmimit mesatar të energjisë elektrike do të ishte shumë më e madhe nëse nuk do të vendoseshin bllok-tarifat e reja.
“Sikur të mos ekzistonin këto bllok-tarifa që i vendosëm këtë javë, çmimi mesatar për të gjitha amvisëritë do të ishte rritur për 17,74 për qind”, tha Bislimoski.
Bllok-tarifat parashikojnë ndarjen e konsumit në kategori dhe tarifa të ndryshme në varësi të sasisë së energjisë elektrike të konsumuar.
Bislimoski theksoi se çmimet e reja për furnizuesin universal, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 korriku, janë të dimensionuara në blloqe, kështu që ata që konsumojnë më pak energji elektrike do të paguajnë çmim më të ulët, për dallim nga ata që kanë konsum më të lartë, që do të paguajnë energji elektrike më të shtrenjtë.
Konsumi është i ndarë në 4 bllok-tarifa. Ata që konsumojnë deri në 210 kilovat/orë do të paguajnë një çmim më të lartë për 5,5 për qind. Për konsumin nga 210 deri në 630 kilovat/orë, rritja është 10,3 për qind.
Rritja është më e madhe për konsumin mbi 630 kilovat/orë, por sipas të dhënave të komisionit rregullativ, numri i amvisërive që konsumojnë mbi këtë sasi është i vogël.
Për konsumin nga 630 deri në 1050 kilovat/orë, rritja është 18,3 për qind, ndërsa për konsumin mbi 1050 kilovat/orë, rritja është 138,7 për qind./FolDrejt/