Maqedonia dhe Greqia pas thuajse tre dekadave në qershor të këtij viti ia dolën të arrijnë marrëveshje për kontestin për emrin, që ishte pengesa kryesore për integrimin e vendit në BE dhe NATO.
Dyert për Maqedoninë në Aleancën Veriatlantike dhe BE janë të hapura, vendi pret që në vitin 2019 të bëhet anëtar i NATO-s dhe t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, ndërsa Marrëveshja e Prespës u solli kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras nominimin për Çmimin Nobël për Paqe.
Maqedonia në përputhje me marrëveshjen do të riemërtohet në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtetësia mbetet – maqedonase/shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në vend janë në rrjedhë ndryshimet kushtetuese me të cilat do të zbatohet marrëveshja. Amendamentet kushtetuese hynë në fazën e tretë, pritet që të votohen në seancë plenare, e cila duhet të caktohet mes 9 dhe 15 janarit.
Më pas radhën e ka Parlamenti grek që t’i japë mbështetje asaj që është dakorduar, ndërsa me ratifikimin nga deputetët grekë pritet edhe nënshkrimi i protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Opozitat e dy vendeve kundërshtojnë ashpër marrëveshjen. Që të dyja opozitat konsiderojnë se qeveritë i kanë tradhtuar qytetarët, identitetin e tyre dhe e kanë shitur Maqedoninë.
Marrëveshja ka mbështetje të madhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila e vlerëson si shembull të veçantë për zgjidhjen e kontesteve, në rajon, por edhe në përmasa botërore.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës
Pala maqedonase e filloi e para procesion. Marrëveshja u ratifikua së shpejti pas nënshkrimit të saj, ndërsa tani po zbatohet procesi i ndryshimeve kushtetuese. Greqia e ndjek me vëmendje procesin në të gjitha fazat e tij, meqë nga ajo që do të ndodhë në vend do të varen edhe hapat e mëtejshëm në vendin fqinj.
Kuvendi i Maqedonisë më 19 tetor me 80 vota e mori vendimin për fillimin e ndryshimeve kushtetuese. Ndonëse shumica prej dy të tretave në fazën e parë të ndryshimit të Kushtetutës ishte e pasigurt deri në fillimin e votimit, megjithatë në momentin e fundit përveç 72 deputetëve nga shumica në pushtet për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës votuan edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Procedura për ndryshime në Kushtetutë rrjedh në tri faza. Dy kanë kaluar tashmë, në rrjedhë është e treta, pritet që ajo të përfundojë në janar të vitit 2019.

Në Greqi ratifikimi duhet të marrë mbështetjen e shumicës absolute, gjegjësisht nevojiten 151 vota në Parlamentin 300-anëtarësh.
Sipas vlerësimeve greke, Marrëveshja në Parlamentin grek mund të vijë nga fundi i shkurtit ose fillimi i marsit. Këtë para do kohe e konfirmoi edhe zëdhënësi i Qeverisë greke dhe ministër pa dikaster Dimitris Xanakopulos, i cili shtoi se në Parlamentin grek do të ketë shumicë parlamentare për ratifikim.
“Korelacionet politike dhe parlamentare bëjnë të ditur për një shumicë të qartë që do të jetë e gjerë, tha Xanakopulosi dhe sqaroi se “qëllimi i Qeverisë është që të ketë shumicë të gjerë parlamentare, mbi 151 deputetë“.
Zaevi dhe Ciprasi të nominuar për Çmimin Nobël për Paqe
Dy kryeministrat, të cilët pas shumë viteve të kontestimit mes dy vendeve, bllokadave, pengesave në marrëdhëniet bilaterale, konfrontimeve, arritën të merren vesh, nga fundi i dhjetorit u nominuan për Çmimin Nobël për Paqe. Nominimin e Zaevit dhe Ciprasit më 18 dhjetor në Shkup e publikoi fituesja e Çmimit Nobël për Paqe në vitin 2015, Uided Bushamaui.
Nobelistja Bushamaui tha se Marrëveshja e Prespës tregon se dy shtete janë të afta që së bashku të ulen, të bisedojnë dhe të arrijnë marrëveshje dhe se paraqet nder për të që t’i nominojë Zoran Zaevin dhe Aleksis Ciprasin për Çmimin Nobël për Paqe.

“Nominimi nuk është vetëm personalisht për Zoran Zaevin dhe Aleksis Ciprasin, por edhe vetë qytetarët. Ky është model për dialog dhe prosperitet. Besoj fuqimisht se Maqedonia ose duhet të them Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të fitojnë Çmimin Nobël dhe do të jenë dëshmi për botën se mund të arrihet marrëveshje. Kjo Marrëveshje pasi të ratifikohet do të jetë porosi e fuqishme se dialogu është i mundshëm”, tha nobelistja Bushamaui.
Liderë që kanë dalë jashtë modelit të politikanëve ballkanikë
Dy kryeministrat, të cilët pasi i rifilluan bisedimet nga fundit i vitit 2017 depërtimet e para i bënë në takimin në Davos, vlerësohen si liderë që kanë dalë jashtë modelit ballkanik të politikanëve, për të cilët karakteristikë është nacionalizmi, insistimi në superioritet të kombit të tij, prejardhjen e tij ekskluzive mitologjike, thuajse magjike.
Zaevi dhe Ciprasi kanë dalë jashtë stereotipave, kanë arritur të perceptojnë rëndësinë e proceseve integruese, rëndësinë e bashkëpunimit, para konfrontimeve. Gjithsesi këto qëndrime të tyre hasën në dënim në të dyja vendet, por edhe akuza se bëjnë pazar me interesat shtetëror.
“Marrëveshja e Prespës është lajmi i vetëm i mirë nga Evropa sivjet dhe e tregon vullnetin e dy palëve për të bërë lëshime me qëllim që të gjendet zgjidhje dhe t’i jepet fund këtij konflikti shumëvjeçar. Konsideroj se do të jetë model për rajonin dhe shembull për botën se dialogu është i mundshëm. Prandaj jam këtu për ta mbështetur këtë mënyrë të qetë të gjetjes së zgjidhjeve, theksoi mes të tjerash fituesja e Çmimit Nobël për Paqe në vitin 2015, Bushamaui në intervistën që e dha për MIA-n.
Marrëveshja e Prespës shembull për zgjidhje paqësore të kontesteve
Marrëveshja është vlerësuar si shembull për zgjidhje paqësore të kontesteve transnacionale. Këtë porosi para do kohë prej Forumit të 18-të ndërkombëtar në Doha e dërgoi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh.
“Marrëveshja mes Athinës dhe Shkupit është shembull i suksesshëm për përpjekjet transnacionale për mbylljen e çështjeve kontestuese. Marrëveshja do të jetë e dobishme për gjithë rajonin ballkanik”, tha Guteresh.

Ai bëri thirrje për forcimin e përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen edhe të çështjeve të tjera të hapura në botë që shkaktojnë tensione.
Ndërsa nga Marrëveshja, sipas shumëkujt dobi mund të kenë para së gjithash Prishtina dhe Beogradi në përpjekjet për ta zgjidhur kontestin për çështjen e Kosovës.
Opozitat në të dyja vendet në linjë të njëjtë, që të dyja në mbrojtje të identitetit maqedonas
Opozitat edhe në Maqedoni edhe në Greqi me qëndrimin se nuk e pranojnë Marrëveshjen, me të rrënohen sipas të parëve interesat e maqedonasve dhe identiteti i tyre, sipas të tjerëve, interesat e Greqisë dhe simbolet e tyre të identitetit. Që të dyja opozitat i akuzojnë qeveritë se e kanë përçarë popullin.
Opozita maqedonase me qëndrimin se marrëveshja është kapitulluese për Maqedoninë. VMRO-DPMNE-ja në disa raste kërkoi dorëheqjen e shefit të diplomacisë Nikolla Dimitrov, i cili sipas tyre, e ka shitur shtetin e tij, duke vënë firmën në atë që është dakorduar bashkë me homologun e tij të atëhershëm grek Nikos Koxias.
Lideri i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, Hristijan Mickoski vazhdimisht përsërit se Marrëveshja është e dëmshme për Maqedoninë, humbet identiteti maqedonas, përçahet shteti, shitet historia, minohet vullneti i qytetarëve i shprehur në referendumin e 30 shtatorit. Kërkon dorëheqje nga ministrat në Qeverinë e Zaevit, por edhe TV duel me kryeministrin, të cilin e akuzon për gjendjen katastrofale ekonomike në Maqedoni.

Dorëheqje nga shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov kërkon, për shkak të siç shprehet, “nënçmimeve nacionale të popullit tonë dhe për shkak se na quajti komb me komplekse”.
“Republika e Maqedonisë fatkeqësisht është e gjunjëzuar. Zoran Zaevi dhe LSDM-ja e gjunjëzuan dhe e kanë nxirë Republikën e Maqedonisë. Qytetarët nuk kanë besim më as në institucionet, e as që u besojnë LSDM-së dhe Zoran Zaevit. Qëkur është LSDM-ja në pushtet, mafia fitoi shtet, ndërsa shteti dhe qytetarët vuajnë për çdo ditë. Krimi mbretëron nëpër rrugë, korrupsioni ka depërtuar në të gjitha porret e shoqërisë, gjyqësori është i robëruar nga Zoran Zaevi dhe LSDM-ja”, është qëndrimi i VMRO-DPMNE-së opozitare, deputetët e së cilës nuk marrin pjesë në fazën e tretë dhe të fundit të ndryshimeve kushtetuese, meqë e konsiderojnë farsë.
Mickoski madje shkëmbeu edhe letra me sekretarin amerikan të shtetit për Evropë dhe Evroazi, Ves Miçell, i cili e vizitoi vendin për të dhënë mbështetje, ndërsa ky i shkroi se Marrëveshja është e papranueshme për partinë, se është e dëmshme për interesat e kombit dhe vendit, dhe se nuk beson se do të kontribuojë në stabilitetin, paqen dhe sigurinë.
Për partinë opozitare greke Demokracia e Re, Marrëveshja është në interes të fqinjit verior grek, Ciprasi e ka shitur kombin dhe në fakt ka bërë pazare politike për të mbetur në pushtet.
Lideri i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis mbetet në qëndrimin se partia e tij nuk do ta pranojë Marrëveshjen e Prespës. Sipas tij, Ciprasi me Marrëveshjen nuk e ka shpëtuar Maqedoninë, por ka hequr dorë nga kombësia dhe gjuha maqedonase.

” Zotëri Cipras, nuk e shpëtuat Maqedoninë, e vetmja gjë që bëtë është që t’u jepni fqinjëve nacionalitetin dhe gjuhën maqedonase”, e porosit ai vazhdimisht Ciprasin. Sipas tij. Ciprasi e ka përçarë popullin grek dhe asnjëherë nuk ka tentuar të krijojë kushte për konsensus nacional për zgjidhjen e çështjes nacionale, por edhe se ka bërë shkëmbim me evropianët që të mos ketë shkurtim të pensioneve.
E akuzon Ciprasin se ka thënë “po” atje ku gjashtë kryeministra: Konstantinos Micotakis, Andreas Papandreu, Kostas Simitis, Kostas Karamanlis, Jorgos Papandreu, Antonio Samaras, kanë thënë “jo” për njohjen e gjuhës dhe nacionalitetit të supozuar maqedonas.
Zaevi dhe Ciprasi mbeten fuqishëm në qëndrimin se Marrëveshja është kompromisi më i mirë i mundshëm
Kryeministri maqedonas Zaev para se të pranojë TV duelin me Mickoskin kërkoi nga ky i fundit që të thotë se a është për anëtarësim në NATO dhe BE përmes pranimit të Marrëveshjes së Prespës, pyetje e referendumit, për të cilën lideri i VMRO-DPMNE-së para referendumit nuk dëshironte të japë përgjigje konkrete dhe shprehej se secili duhet të votojë sipas bindjes dhe ndërgjegjes së tij. Nëse nuk është, Zaevi kërkon nga Mickoski të ofrojë alternativë.
Zaevi para do kohe u shpreh i bindur se do të marrë mbështetje të plotë nga deputetët për amendamentet kushtetuese dhe se procesi do të finalizohet nga mesi i janarit të vitit 2019.
“Duhet t’u sqarojmë të gjithëve, të dinë se nuk dolën arusha në amendamentet, nuk ka asgjë të fshehur, debatet janë ato. Qasje e ndershme e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. E patë se kemi proces gjithëpërfshirës edhe nga bashkësia shqiptare. E kemi përfshirë gjithë diasporën, e forcuam identitetin maqedonas. Besoj se deputetët do ta mbështesin këtë, meqë ata e propozuan, ndërsa herën e kaluar nuk votuan në Parlament”, theksoi Zaevi.

Cipras me qëndrimin se e majta nuk e ka shitur, por e ka shpëtuar Maqedoninë greke.
“E majta nuk e ka shitur Maqedoninë. E majta e shpëton trashëgiminë kulturore dhe historike të Maqedonisë greke. Këtë e bën e majta me Marrëveshjen e Prespës”, porositi kryeministri grek para do kohë nga evenimenti politik partiak i organizuar nga SYRIZA në Selanik.

Ciprasi shprehet se 25 vite të tëra nacionalizmi nga të dyja anët e kufirit ka penguar çfarëdo përpjekje për zgjidhje, ndërsa ata kanë arritur zgjidhje “në favor të Greqisë, të Maqedonisë greke, të Ballkanit dhe në favor të paqes, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët në rajon”.
“Për ne, patriotizëm është kujdesi për përparimin dhe prosperitetin kolektiv të atdheut tënd, e jo katastrofa e atdheut të atyre që janë pranë teje. Patriotizëm është të duash atdheun dhe të sakrifikohesh për të, e jo të urresh atdheun e të tjerëve”, porositi Ciprasi.
Në Greqi është problem edhe ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos, partia e të cilit Grekët e Pavarur është partnere e koalicionit në Qeverinë e Ciprasit. Kamenosi është kundër Marrëveshjes, ishte kundër edhe gjatë bisedimeve edhe pasi u arrit ajo, ndërsa tani paralajmëroi se do të japë dorëheqje, pasi që ndryshimet kushtetuese të kalojnë në Parlamentin e Maqedonisë. Pozicioni i tij është se nuk mund të pranojë kurrfarë marrëveshje që e përmban termin Maqedoni.

Zaevi, nga ana tjetër, shprehet se ka besim tek Ciprasi, tek Qeveria greke, duke përfshirë opozitën, si dhe popullin grek.
“Kam besim edhe tek Kamenosi i cili gjithashtu është pjesë e Qeverisë. Duhet t’i japin shans një marrëveshjeje të këtillë historike meqë marrëveshja është e mirë për të dyja vendet, për të dy popujt. Besoj se benefitet do të shihen në muajt e ardhshëm nga zbatimi i saj. Më 9 janar është caktuar seanca plenare, ndërsa për jo më shumë se 10 ditë, nga mesi i janarit, besoj se do të arrijmë t’i votojmë amendamentet përfundimtare, thekson kryeministri Zaev.
Bashkësia ndërkombëtare me mbështetje të fuqishme për Marrëveshjen, Rusia shprehet se nuk është kundër saj, por kundër anëtarësimit në NATO
Edhe këtu në kontekstin për emrin sërish thyhen shtizat mes Perëndimit dhe Rusisë, për atë se çfarë është mirë për dy vendet, por edhe për paqen dhe sigurinë më të gjerë.
SHBA-ja, NATO-ja, BE-ja, KB-ja, të gjitha me mbështetje për kompromisin maqedonaso-grek. Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo para do kohë pas takimit me ministrin e Jashtëm alternativ e Greqisë, Jorgos Katrugalos në Uashington deklaroi se hyrja e Maqedonisë në NATO do të forcojë aftësinë e vendeve ballkanike që t’u kundërvihen “aktivitete keqdashëse” të Rusisë në rajon.
Ai theksoi se SHBA-ja e mbështetë Marrëveshjen historike të Prespës dhe beson se kryesia greke do të arrijë ta zbatojë, me vlerësimin se marrëveshja do të forcojë pozicionin grek në Ballkan dhe do ta ulë ndikimin rus në rajon. Theksoi se duhet përshëndetur dhe mbështetur angazhimin e kryeministrit Cipras për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar.
Qëndrimin e njëjtë e përsëriti gjatë vizitës në Shkup, zëvendës-sekretari amerikan i Shtetit Xhon Salivan. Ai ishte funksionari më i lartë i Departamentit të Shtetit, që nga viti 2001 që ka ardhur për vizitë zyrtare në Maqedoni.

“Rusia dëshiron të minojë Marrëveshjen e Prespës që e arritën Maqedonia dhe Greqia dhe do të bëjë çmos që është në fuqinë e saj për ta penguar anëtarësimin në NATO”, deklaroi ai në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Zoran Zaev.
Theksoi se nuk është sekret se Rusia kundërshton Marrëveshjen e Prespës dhe askush nuk dyshon se do të bëjë gjithçka që mundet në interesin e saj përballë interesit të qytetarëve të Maqedonisë, për ta varrosur procesin e zbatimit të marrëveshjes.
“Rusia pohon se çështja e emrit është punë e dy vendeve dhe se ajo nuk përzihet në punët e tyre të brendshme, ndërsa para do kohë ambasadori rus në Greqi, Andrej Maslov deklaroi se Rusia nuk ka asgjë kundër Marrëveshjes së Prespës, por kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
“Nëse Athina dhe Shkupi arrijnë marrëveshje për emrin dhe nëse kjo pranohet zyrtarisht në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, atëherë ne do ta njohim këtë, tha Maslovi, duke u përgjigjur në pyetjen a është e mundshme që Moska të vendosë veto ndaj marrëveshjes në Këshillin e Sigurimit të KB-ve.
E përsëriti qëndrimi e Rusisë se është kundër anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancën dhe se nëse ndodhë kjo Moska do të jetë e detyruar të ndërmarrë kundërmasa.
Nënshkruesit e Marrëveshjes
Shefat e diplomacive, të cilët vendosën firmën në dokumentin e 17 qershorit në Nivici, njëri ende në post, tjetri në dorëheqje, në të gjitha mënyrat e mundshme tentojnë të tregojnë se ajo që është kontraktuar është në dobinë e të dyja shteteve.
Dimitrovi vazhdimisht në mbrojtje të Marrëveshjes së nënshkruar me Greqinë për emrin e vendit, ndërsa para do kohë në një intervistë për “Le Mond”-in e Parisit u shpreh se sigurimi i shumicës prej dy të tretave është gjithmonë i vështirë në politikë, por sfida kësaj radhe është me rëndësi aq të madhe saqë do të tregojmë se në Ballkan janë të mundshme çudirat.
“Na mungojnë vetëm 10 vota. Ne duam ta finalizojmë votimin në janar, e që më pas marrëveshjen ta aprovojë Parlamenti grek para se të fillojë fushata për zgjedhjet evropiane. Kundërshtimi i së djathtës nacionaliste greke ndaj këtij kompromisi është gjithashtu po aq i fuqishëm sa edhe ai i së djathtës nacionaliste maqedonase”, shprehet Dimitrovi.

Koxiasi, nga ana tjetër, papritur dha dorëheqje nga posti ministror nga fundi i tetorit pas seancës së tensionuar në Qeveri, në të cilën ai është konfrontuar me Kamenosin lidhur me Marrëveshjen.
Supozohet se Koxiasi ka qenë i indinjuar për shkak se Ciprasi nuk e ka mbrojtur nga sulmet e Kamenosit, i cili e ka akuzuar për shpërdorim të fondeve sekrete nga MPJ-ja, si dhe se është njeri i afërt i Xhorxh Sorosit.
Koxiasi përkundër dorëheqjes mbeti në mbrojtje të asaj që është kontraktuar dhe para do kohë përmes lëvizjes së tij “PRATO” kërkoi nga Ciprasi që të shprehë publikisht mospajtimin me Kamenosin për deklaratën në Parlamentin grek, për “marrëveshje nën tavolinë të Koxiasit dhe Zaevit”.
“I bëj thirrje ministrit të Jashtëm dhe kryeministër Aleksis Cipras, menjëherë dhe publikisht të shprehë mospajtimin me kryetarin e Grekëve të Pavarur për shpifjen në Parlamentin grek për “ekzistimin e supozuar të marrëveshjes sekrete Koxias – Zaev”.
Marrëveshja nga Nivici
Marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 dhe 845 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për pushimin e vlefshmërisë së Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik mes palëve është titulli zyrtar i Marrëveshjes.
Dimitrovi dhe Koxiasi në ceremoninë solemne në Psardes ose Nivici më 17 qershor të këtij viti i vendosën firmat në Marrëveshjen, në prani të Zaevit dhe Ciprasit, ndërmjetësuesit në bisedimet Metju Nimic, eurokomesarit për Zgjerim Johanes Han, përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, si dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesve nga të dyja vendet.

Me Marrëveshjen në raport me gjuhën maqedonase është parashikuar – gjuha maqedonase edhe në KB mbetet të shkruhet gjuhë maqedonase, pa çfarëdo fusnote për sqarim. Lidhur me shtetësinë, gjegjësisht nacionalitetin, në marrëveshjen është përcaktuar – maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Baza e Marrëveshjes është ajo se në të në mënyrë miqësore dhe të saktë është përcaktuar se si Greqia e interpreton nocionin “Maqedoni” dhe “maqedonas” dhe si ne për ne e interpretojmë nocionin Maqedoni dhe maqedonas.
Me nenin 7 bëhet një dallim i qartë se me nocionin Maqedoni dhe maqedonas në Greqi shënohet Pjesa helene e historisë. Është përcaktuar edhe se Maqedonia dhe maqedonas në kontekstin tonë i reflekton territorin tonë, gjuhën tonë, popullin me të gjitha atributet, histori, kulturë dhe trashëgimi – të ndryshme nga ato në Greqi.
Himni, stema dhe flamuri nuk ndryshojnë, si dhe kodet MK-MKD, derisa targat nuk janë pjesë e kodifikimit ndërkombëtare dhe do ta ndjekin frymën e Marrëveshjes.
Institucionet shtetërore do ta ndjekin frymën e Marrëveshjes – emrin e përcaktuar të ri të shtetit. Të gjitha organizatat/kompanitë/ shoqatat tjera mund të emërtohen lirisht si maqedonase dhe të përdorin mbiemrin maqedonas.
Bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë rifilluan nga fundi i vitit 2017, pas thuajse bllokimit trevjeçar. Kontesti zgjati 27 vite. Pas rifillimit, fillimisht ndërmjetësuesi i KB-ve, Nimici realizoi takime me negociatorët Vasilakis Ademantios dhe Vasko Naumovski, e më pas bisedimet u ngritën në nivel më të lartë, në nivel të shefave të diplomacive.
Kryeministrat e dy vendeve e realizuan takimin e parë të drejtpërdrejt në Forumin Botëror Ekonomik në Davos, ku u bënë lëshimet e para. Maqedonia i riemërtoi aeroportin dhe autostradën, ndërsa Greqia e debllokoi fazën e dytë të vendit në procesin e stabilizimit dhe asociacionit me BE-në dhe i mundësoi Maqedonisë të bëhet anëtare e Iniciativës së Adriatikut dhe Jonit.

Me rëndësi kyçe në bisedimet ishte takimi Zaev-Cipras në margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Sofje gjatë kryesimit bullgar të Bashkimit. Vetë takimi i dy kryeministrave sikur të ishte ngjarje qendrore e Samitit, i cili në format të tillë për herë të fundit është mbajtur në Selanik në vitin 2003. Zaevi dhe Ciprasi në një bisedë telefonike më 12 qershor e konfirmuan atë që është kontraktuar, e më pas e informuan opinionin në vendet e tyre.
Kontesti për emrin filloi menjëherë pas pavarësimit të Maqedonisë dhe pranimit të saj në KB, më 8 prill të vitit 1993. Për shkak të kundërshtimit dhe presioneve nga Greqia, e cila nuk e pranon emrin kushtetues, anëtarësimi në KB ishte me referencën e përkohshme Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Disponimi i qytetarëve në të dyja vendet
Ekspertët paralajmërojnë se lidhur me mendimin publik duhet punuar me debate duke marrë parasysh propagandën shumëvjeçare, por edhe atë se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme.
Hulumtimi i fundit i mendimit publik në Greiq, i zbatuar nga agjencia për vlerësim MRB Hellas, ndërsa i publikuar në portalin informativ “Real”, tregon se 7 prej 10 grekëve kanë vlerësim negativ për Marrëveshjen e Prespës, po aq konsiderojnë se marrëveshja nuk i garanton interesat grek, më shumë është në favor dhe më shumë u shërben interesave maqedonase dhe në të ardhmen do të krijojë probleme serioze. Thuajse pesë prej 10 grekëve janë përgjigjur se marrëveshja do të votohet nga Parlamenti grek, ndërsa 25,9 për qind konsiderojnë se Maqedonia është „kërcënim i vërtetë për Greqinë“.
Sipas sondazhit të MCMS-së para referendumit në Maqedoni në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, “për” janë përcaktuar 41,5 për qind, ndërsa „kundër “35,1 për qind. Megjithatë, më pak maqedonas u përcaktuan se do të votojnë “për” (27,4 për qind) sesa „kundër“ (45,2 për qind), derisa te shqiptarët mbështetja “për” ishte bindëse (88 për qind përballë 2,2 për qind “kundër”).

Sotiris Serbos nga Universiteti Demokratik i Thrakisë – Greqi, i cili para do kohë mori pjesë në një debat në Shkup u shpreh optimist se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në Parlamentin grek si depërtim historik, i rëndësishëm jo vetëm për dy shtetet, por edhe për garantimin e sigurisë në një rajon problematik. Përkujtoi se duhet punuar në mendimin publik në dy vendet për shkak të propagandës thuajse tridekadëshe.
Greqia po hyn në fushatë parazgjedhore dhe prandaj Serbosi paralajmëron se nuk duhet të befasojnë disa tone dhe deklarata, veçanërisht nga partitë që tani janë kundër Marrëveshjes, por vetëm një ditë pas zgjedhjeve do të shfaqet optimizmi prej më shumë palëve.
Ekspertët konsiderojnë se në periudhën paraaderuese për Maqedoninë duhet doemos të forcohet bashkëpunimi jo vetëm mes elitave politike dhe afariste, por shoqërive të tëra pas viteve të mosmarrëveshjeve, ndërsa Maqedonia dhe Greqia duhet të bëhen partnerë strategjik të dobishëm për gjithë Ballkanin Perëndimor.