Nga Imer Topanica – Fol Drejt
Nuk është fitore siç po e cilëson pozita, por nuk është as humbje siç po mundohet ta kualifikojë opozita. Qëkur është arritur në letër gjysmë-marrëveshja e vitin 2011 dhe e cila është shpërfillur nga pala serbe, Serbia ka vijuar t’i lëshojë targat me akronime të qyteteve tona, duke dëshmuar nëpërmjet kësaj, se ende e konsideron pjesë të territorit të vetë Kosovën.
Vetëm duke u nisur nga ky fakt, këmbëngulësia e palës kosovare në bisedime për ta ndërprerë lëshimin e këtyre targave nga ana e Serbisë (gjë e cila ka ndodhur, siç e thamë, për krejt dekadat e pasluftës), duhet vlerësuar. Por, po ashtu duhet kujtuar qeveritarëve dhe eksponentëve të tyre se synimi nuk ishte vetëm koncentrimi dhe angazhimi në propozimin Franko-Gjerman, por edhe eliminimi i kësaj pengese jo të vogël.
Do të mund të cilësohej si fitore, madje e madhe, nëse Serbia do të pranonte që ta ndërpriste procesin e regjistrimit të veturave të serbëve të veriut me targat PZ, PR, KM etj, dhe njëkohësisht lejimin e regjistrimit të këtyre veturave me targa RKS.
Për të gjithë ata që zvarritjen dhe këmbënguljen e Kosovës po e konsiderojnë si “prishje të raporteve me aleatët tanë më të mëdhenj Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ua kujtojmë se Qeveria Kurti bëri që pikërisht në këtë situatë ato të involvohen, për të sjell një rezultat jo të vogël.
Le të rikthehemi pak në retrospektivë, dokumenti ku renditen konkluzionet nga marrëveshja e vitit 2011, parashihte, ndër të tjera që:
“6. Si masë kalimtare, autoritetet në Kosovë do të vazhdojnë vlefshmërinë e targave KS të automjeteve për një periudhë fillestare prej pesë vitesh në përfundim të së cilës çështja do të rishikohet nga të dyja palët (me lehtësimin e BE nëse kërkohet);
7. Të gjithë pronarët e automjeteve me vendbanim në Kosovë do të përdorin targat RKS ose KS (sipas pikës 6 më lartë). Ato do të lëshohen nga autoritetet përkatëse në Kosovë dhe do të shpërndahen me ndihmën e EULEX-it kudo që kërkohet. Secila palë do të bëjë përpjekje maksimale për ta implementuar si më lartë.”
Megjithatë, përkundër kësaj, siç jemi dëshmitarë, kjo nuk ka ndodhur. Qeveritë e mëhershme nuk qenë treguar vigjilente dhe lejuan për një kohë kaq të gjatë që, nëpërmjet këtyre targave, të përdhoset sovraniteti i vendit.
Por çfarë u arrit mbrëmë në të vërtetë?
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të jashtme Josep Borrell, mbrëmë nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter, njoftoi se marrëveshja u arrit:
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur.”
Sikurse pala kosovare e cila po e cilëson si sukses arritjen e kësaj marrëveshjeje edhe pala serbe po e vlerëson si të tillë. Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, mbrëmë tha se “me këtë marrëveshje arritëm të shpëtojmë popullin tonë në veri të Kosovës”, duke thekuar se targat KM të lëshuara nga Serbia, do të vazhdojnë të përdoren.
E vërteta është se, marrëveshja e mbrëmshme vetëm sa e zhbllokon procesin dhe ua lejon palëve vazhdimin e bisedimeve. E rëndësishme është që tashmë në tavolinë do të shtrohet për diskutim plani Franko – Gjerman, i cili, sipas të gjitha gjasave, e rekomandon një lloj asociacioni të komunave serbe, por pa kompetenca të cilat ia rrezikojnë republikës sonë sovranitetin.