Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për marrëveshjen e nënshkruar mes Serbisë dhe Rusisë e cila u nënshkrua dy ditë më parë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ai serb Nikolla Selakoviq.
Ish-kryeministri shqiptar shprehet se kjo marrëveshje është një dëshmi e qartë e sjelljes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq e ngjashme me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Berisha me anë të një shkrimi në Facebook e konsideron këtë marrëveshje një kërcënim të ri për Ballkanin Perëndimor.
“Marrëveshja serbo-ruse në New York, një kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor! Ministri i Jashtëm i Vladimir Putinit, Sergei Lavrov pasi dështoi në udhëtimin e tij drejt Beogradit në fillim të qershorit të këtij viti, vizitë në të cilën, siç deklaroi vetë, do të shprehte mbështetjen për ‘Ballkanin e Hapur’, u takua dy ditë më parë në Selinë e OKB-së dhe firmosi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviq, ‘Marrëveshjen për Bashkëpunimin në politiken e jashtme’ midis Moskës dhe Beogradit”, shkruan Berisha.