Media e njohur gjermane “Focus” i ka kushtuar një artikull Shqipërisë ku flet kryesisht për përkeqësimin e marrëdhënieve të saj me Iranin si pasojë e strehimit të rreth 4000 muxhahedinëve disidentë iranianë MEK.
“Kjo nuk është hera e parë që tregon se Shqipëria i shërben lirisë dhe njerëzores. Që në kohën e LDB kur nazistët kërkuan hebrenjtë, mikpritja legjendare e shqiptarëve mbrojti hebrenjtë nga përndjekja,” shkruan fillimisht media gjermane, përcjell foldrejt.com.
Sipas medias gjermane, tashmë kjo bujari shqiptare ka ardhur edhe me gatishmërinë e saj si partnere e NATO për të strehuar mijëra disidentë iranianë në tokën shqiptare.
Disidentët iranianë MEK shihen si një mundësi e mirë nga SHBA dhe BE, për të zëvendësuar qeverinë e Mullahëve në Iran, informon foldrejt.com.
“Shërbimi sekret iranian është i përditshëm në aktivitete të rrezikshme për të kryer atentate në Francë, Gjermani, Belgjikë, Danimarkë dhe së fundi edhe në Shqipëri,” shkruan më tej media gjermane, duke sqaruar edhe vendimin e qeverisë shqiptare për të dëbuar dy diplomatët iranianë që akuzohen se kanë përgatitur sulme terroriste mbi bazën e MEK dhe gjatë festës së Nevruzit.
Barriera që i vendos SHBA-ja këtij ekspansioni politik të Iranit, është për t’u përshëndetur te Shqipëria që kësaj lëvizje të lirë iraniane i ofron strehim. Kaosi në Lindjen e Mesme dhe zgjerimi i pakursyer i ideve dhe ideologjive fundamentaliste mund të kundërshtohet vetëm me vendosmëri dhe veprim të qartë. Këtu bën pjesë edhe mbështetja e njerëzve, të cilët për mbrojtjen e lirisë e kanë dhënë jetën, kurse tani duhet të mbrohen./Foldrejt.com